Kryeministri Edi Rama sjell kësaj radhe qëndrimin e aktores korçare, Zamira Kita që i shtohet zërave të shumicës së artistëve për ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar.
“Godina aktuale nuk ka asnjë vlerë. Objektet, sendet, garderoba e aktorëve që kanë luajtur në atë skenë, të ruhen në teatrin e ri që do të ndërtohet, të krijohet një muzeum i vizitueshëm për të gjithë”, deklaron aktorja e njohur, Zamira Kita.
Më tej, Kita shton se duke patur përvojën e Teatrit të Korçës, mendoj se duhet ndërtuar një teatër i ri nga themelet.
“Teatri Kombëtar ka një amortizim të plotë, nuk është aspak i përshtatshëm për të dhënë shfaqje, nuk është funksional, as komod. Sado që ta rikonstruktojmë atë, nuk besoj se do bëhet një sallë e mirë, e përshtatshme. Unë jam për një teatër të ri. Pse jo, për një projekt si ai që kemi parë, një projekt modern, që të na mundësojë shumë ambiente në funksion të teatrit, siç kemi parë nëpër botë. Mendoj se debati është shfrytëzuar keq nga segmente politike”, shprehet ajo.
“Aktorja e mirënjohur korçare, Zamira Kita, njëra ndër protagonistet e gjeneratës së ndërmjetme, mes themeluesve dhe më të rinjve të komunitetit teatror shqiptar, shumë e duatrokitur dhe e respektuar për kontributin artistik, ndan opinionin e saj për Teatrin Kombëtar bazuar në një eksperiencë të gjatë e plot pasion në skenën shqiptare”, shprehet Rama duke publikuar qëndrimin e aktores Kita për ndërtimin e Teatrit të ri./atsh