Në ditën e festës së malit të Gjallicës, pjesë e Parkut natyror Korab-Koritnik, të rinjtë e grupit Smile Albania së bashku me punonjësit e AdZM Kukës organizuan një udhëtim njohës e promovues të vlerave natyrore dhe turistike të kësaj zone.
Ata zhvilluan një itinerar turistik duke kaluar nëpër monumentet e natyrës që kjo zonë ka nga Kroi i Bardhë, Rrobulli Laku i Topojanit, Kroi i Kuq, Kroi i Kishës, Kroi i Tanzot deri në Majën e Gjallicës.
Gjithashtu grupi i Smile Albania Kukës, Agjencia e Zonave të Mbrojtura Kukës dhe Ermal Hallaçi, drejtues i guidës turistike të qytetit të Kukësit, bënë ngjitjen e Malit të Gjallicës, 2489 m mbi nivelin e detit pjesë e Parkut Natyror Korab- Koretnik.
Maja e Gjallicës është tashmë një destinacion për turistët dhe të pasionuarit e ngjitjes të cilët gjatë udhëtimit të tyre, shoqërohen edhe nga mikpritja e banorëve të zonës ku është pikënisja e udhëtimit.
Gjallica është mali më i lartë në rrethin e Kukësit me lartësi prej 2489 m mbi nivelin e detit. Ai ngrihet në lindje të qytetit të Kukësit, mes Malit të Koritnikut dhe atij të Kolesjanit.
Lumi i Lumës ka gërryer një kanion të thellë mes Malit të Koritnikut dhe Gjallicës, duke formuar Grykën e Vanave, kurse në jug, Gjallica ndahet nga Mali i Kolesjanit nga një përrua që ka formuar një kanion po ashtu të thellë. /atsh