Loading...

Meta kthen në Kuvend koncesionin për rrugën Orikum- Llogara

Presidenti Ilir Meta kthen në Kuvend koncesonin për rrugën Orikum – Llogara.

“Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”, me qëllim rishikimin sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti”, njofton Presidenca.

“Në përfundim të shqyrtimit të ligjit, Presidenti se ligji dhe Kontrata Koncesionare bashkëlidhur janë propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës; Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me rregullat që normojnë këtë proces, në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit, duke krijuar rrezik për cenim të interesit publik”.

“Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi jotransparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore konkrete për negocimin e kushteve materiale të saj; Mungesa e një vlerësim të qartë ekonomik, krijon rrezik për cenim të financave të shtetit dhe interesin publik; Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë; Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces; Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit dhe ekonominë e familjeve shqiptare, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit”, vijon njoftimi.

“Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit”, lexohet në njoftimi.

“Presidenti i Republikës gjen me vend të evidentojë se institucionet financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit. Në kundërshtim me këto kërkesa të institucioneve financiare, Këshilli i Ministrave ka nënshkruar dhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë kontratë koncesionare, që pretendohet të miratohet me ligjin nr. 51/2019, në kushte kaq të rënda paligjshmërie dhe në dëm të interesave të qytetarëve”.

“Procedura e konkurrimit, të publikuara në Buletinin e Njoftimeve Publike nr. 30, datë 30.07.2018, në faqen zyrtare të APP është parashikuar se vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është 50,575,020 Euro”.

“Në dokumentet standarde të tenderit, të publikuara, është parashikuar që shoqërisë “Gjikuria” sh.p.k., si shoqëri e cila ka dorëzuar propozimin e pakërkuar të këtij projekti, i është dhënë një bonus prej 6 pikë nëpërmjet VKM Nr. 367, datë 20.06.2018”.

“Në relacionin e Këshillit të Ministrave dhe Raportin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, nuk qartësohet nëse është dhënë miratimi i projektit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, në çfarë faze është dhënë, si dhe cili ishte akti miratues i dhënë prej këtij organi”.

“Nga shqyrtimi tërësor i praktiktës së ndjekur për këtë koncesion rezulton se, përgjatë procedurave të ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk citohet të jetë dhënë miratim i projektit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë”.

“Edhe pas kërkesës së paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në dokumentacionin e përcjellë nga Kuvendi, nuk rezulton e administruar apo e dërguar ndonjë akt që të vërtetojë faktin që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ketë dhënë miratim financiar për këtë projekt”.

“Mungesa e këtij akti dhe e informacionit mbi të cenon rëndë të gjithë procesin dhe përbën shkelje të procedurës së ndjekur qoftë nga Autoriteti Kontraktues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, duke përfshirë në këtë proces edhe Kuvendin e Shqipërisë”.

“Kjo është shkelje e rëndë e procedurës, ngarkon me përgjegjësi jo vetëm autoritetin kontraktor, por gjithë zinxhirin vendimmarrës në këtë çështje, që prej specialistit më të thjeshtë tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, Autoriteti Kontraktor, deri tek vendimmarrja e Këshillit të Ministrave që kanë toleruar që të nisë dhe të zbatohet një procedurë koncesionare, pa miratimin paraprak apo përfundimtar të shprehur në mënyrë prej Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë”.

“Referuar shqyrtimit të dokumenteve të procedurës rezulton se kostoja e projektit do të jetë 50 147 416 euro, pa TVSH, ndërsa në relacioni e Këshillit të Ministrave parashikohet se vlera e projektit për 13 vjet, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës “Porti i Jahteve– By-pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”, sipas specifikimeve teknike e parashikuar në vlerën totale 70 119 755 euro, dhe pas negocimit dhe dakordësimit ndërmjet palëve, ajo do të jetë 67 359 926 euro plus TVSH-në sipas propozimit të ri financiar, të rishikuar”.

“Pra, duket qartë se çmimi i dakordësuar midis palëve në vlerën prej 67 359 926 Euro plus TVSH është 16,784,906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit e publikuar nga vet autoriteti kontraktor për konkurrim”, vijon njoftimi.

“Në zbatim të kërkesave të VKM nr. 634, datë 1.10.2014 dhe dokumentat standarde të publikuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike rezulton se nuk ka asnjë parashikim ligjor ku të lejohet negocimi i ofertës së paraqitur nga ana e operatorëve ekonomikë konkurrues. Kjo është një shkelje flagrante e rregullave të konkurrimit në këtë drejtim dhe një mënyrë haptazi e kundraligjshme për të operuar në një sistem jashtë kuadrit ligjor rregullator, duke negociuar me kompaninë propozuese, çmimin apo terma të tjerë material të panegociueshme të kontratës”.

“Në lidhje me kërkesën e Presidentit për sqarimin e kësaj situate të paqartë joligjore, nuk u dha asnjë shpjegim nga MIE, ARRSH dhe MFE deri në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 51/2019. Nga ana e Autoritetit Kontraktues, nuk është respektuar baza ligjore lidhur me veprimtarinë e kryer për negocimin e termave material të kontratës së koncesionit, duke shkelur parimin e sigurisë juridike dhe interesin publik në mënyrë flagrante”.

“Negocimi i kontratës koncesionare, përfshirë ofertën e propozuesve apo modelin financiar, pa patur një parashikim të qartë në dokumentet standard të garës, madje në kundërshtim të plotë me vetë parashikimin se oferta nuk mund të modifikohet dhe nga ana tjetër, pa patur një bazë ligjore specifike për ta realizuar këtë proces, cenon rëndë sigurinë juridike, cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës, duke shkelur nenin 4, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku parashikohet se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”.

“Duke vepruar në një terren të tillë, pa ligj dhe pa rregulla, Autoriteti Kontraktor dhe më pas Këshilli i Ministrave, i kanë ofruar Kuvendit të Shqipërisë, për miratim me ligj një Kontratë Koncesionare/PPP, e cila është formuar nën një vullnet të shtrembëruar, subjektiv dhe të pakontrolluar në të gjitha dimesionet e tij, ekonomike, financiare, etj”.

“Një anashkalim haptazi i çdo norme ligjore në fuqi, me qëllim nënshkrimin e një kontrate koncesionare, përtej rregullave dhe ligjit, duke synuar që çdo paligjshmëri të amnistohet nga Kuvendi, me miratimin e kësaj kontrate me një akt ligjor, në mënyrë që ajo në çdo kohë të quhet e ligjshme dhe të jetë e pakontrollueshme dhe askush të mos përgjigjet për shkeljet e kryera në këtë proces”.

“Gjithashtu, Këshilli i Ministrave për t’i dhënë një mbrojtje këtij procesi të paligjshëm dhe për të shmangur çdo përgjegjësi miratuese të Këshillit të Ministrave, ka miratuar një rregull të ri për t’ia kaluar përgjegjësinë Kuvendit, me qëllim aministimin e gjithë procesit të zhvilluar në paligjshmëri të plotë””, vlerëson Presidenca.

“Me shkresën nr. 2669 prot., datë 31.07.2019, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka drejtuar një kërkesë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ndër të tjera ka kërkuar informacion nëse Autoriteti Kontraktor ka kryer një studim krahasimor, nga ku ka rezultuar si ekonomikisht më e favorshme dhënia e kontratës me konçesion/PPP në raport me prokurimin publik”.

“Sipas kërkesave të nenit 13, pika 4 germa “ç”, të VKM nr. 634, datë 01.10.2014, projekti trajtohet si produkt i autoritetit kontraktor dhe rezultatet e studimit të fizibilitetit duhet të tregojnë se; dhënia e kontratës me koncesion/PPP është ekonomikisht më e favorshme se dhënia e saj me prokurim publik”.

“Autoriteti Kontraktor nuk i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës lidhur me këtë kërkesë, deri në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 51/2019, çka provon bindjen se nuk ka një vlerësim të tillë të bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare”.

“Bazuar në sa më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se rezultati i këtij krahasimi ekonomik është thelbësor në vijimin e procedurave të dhënies me Koncesion dhe moskryerja e tij është një shkelje tjetër e rëndë në këtë proces”.

“Referuar raportit të Komisionit të Ekonomisë, të datës 18.06.2019, rezulton se ky moment i rëndësishëm e thelbësor për vijimin e procedurave të konkurrimit nuk është prekur as formalisht dhe as materialisht nga komisioni, por ai është mjaftuar vetëm me citimin e një paragrafi duke përmendur se, çmimet e referuara në kontratë janë në përputhje me çmimet e manualeve që përdor Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë”.

“Presidenti i Republikës, nisur nga situata e parashtruar më sipër, shpreh hapur rezervat e tij lidhur me vlerën e publikuar të projektit. Me formën dhe procedurën e ndjekur, Autoriteti Kontraktor nëpërmjet informacionit të publikuar ka krijuar një percetim të rremë dhe të shtrembëruar për publikun apo për konkurrentët e tjerë të mundshëm të huaj apo vendas mbi vlerën e projektit, të cilët pasi janë njohur me vlerën fillestare 50,575,020 euro kanë hezituar për të konkurruar, ndërkohë që kompania që ka paraqitur propozimin e pakërkuar të këtij projekti i është dhënë e drejta të ofertojë e negociojë çmimin”.

“Ndërkohë që pas negocimit dhe dakordësimit ndërmjet palëve, vlera e kontratës koncesionare është dakordësuar të jetë 67 359 926 euro plus TVSH-në, duke treguar qartë se çmimi i dakordësuar midis palëve është 16,784,906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit e publikuar nga vet autoriteti kontraktor për konkurrim”.

“Veprimtaria e Autoritetit Kontraktor, veç të tjerave, krijon një situatë të cenimit te parimit kushtetues të konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe të barazisë përpara ligjit, me pasojë diktimin e kompanisë fituese dhe cenim të interesit publik dhe të financave publike. Gjithashtu, projektligji për miratimin e kësaj kontrate koncesionare nuk është shqyrtuar as nga Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe as nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese në Kuvendin e Shqipërisë. Edhe shqyrtimi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave duket se është i përciptë dhe në këtë mënyrë nuk ka mundësi të jetë as objektiv.”, vijon njoftimi.

“Presidenti i Republikës për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllim rishqyrtimin e këtij ligji në përputhje me parimet kushtetuese dhe kuadrin ligjor në fuqi, ka vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit me qëllim rishikimin tërësor të kësaj kontrate koncesionare. Presidenti i Republikës i sugjeron Kuvendit të Shqipërisë që, rishqyrtimi i ligjit dhe kontratës koncesionare për segmentin rrugor Orikum – Dukat të bëhet pas hyrjes në fuqi të kufizimeve të vendosura nga Kuvendi, në ligjin nr. 125/2013 ‘Për koncensionet dhe partneritetin publik privat’, të ndryshuar” që, sipas vullnetit të Kuvendit, do të duhet të hyjnë në fuqi në datë 1 tetor 2019. Arsyet shteruese mbi këtë vendimmarrje të Presidentit të Republikës gjenden të publikuara në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës: Ligji i kthyer për rishqyrtim”, përfundon njoftimi i Presidencës./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com