Loading...

Fluks i lartë turistësh, policim i përbashkët rrugor Shqipëri-Kosovë

Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit për patrullime të përbashkëta, Drejtori i Policisë Rrugore të Kosovës dhe Drejtori i Policisë Rrugore Shqiptare, inspektuan nga afër punën e përbashkët të policimit rrugor të Kosoves me ate të Shqipërisë, kryesisht në vendet bregdetare, ku fluksi i mjeteve është më i lartë dhe prezenca e shtuar e policisë është më e nevojshme.

Në një prononcim për mediet, kreu i policisë rrugore të Kosovës, Jeton Rexhepi tha se “ne si Polici e Kosovës kemi ofruar përkrahjen për Policinë e Shtetit Shqiptar, sidomos në këtë sezon veror, në këtë periudhë në të cilën fluksi është më i madh, jo vetëm i qytetarëve kosovarë, por edhe banorëve të tjerë që vizitojnë Shqipërinë për bregdet”.

“Besoj që deri tani, tek patrullimet e përbashkëta, puna e përbashkët ka ka dhënë efektin te qytetarët të cilët janë ndjerë më mirë dhe kanë pasur komunikimin më të lehtë. Kështu që ne, do të vazhdojmë bashkëpunimin që tu lehtësojmë qarkullimin në trafik si dhe të ndihen më të sigurt jo vetëm në rrugën e Kombit, por në të gjitha rrugët e tjera”, tha ai.

Mitat Tola, Drejtori i Policisë Rrugore, tha se “ka mbi 10 vite që Policia Rrugore e Kosovës bashkëpunon me Policinë Rrugore Shqiptare, bashkëpunim shumë i frytshëm, u jep siguri drejtuesve të mjeteve nga Kosova si dhe drejtuesve të mjeteve në Shqipëri. Është një bashkëpunim që mbështetet në procedura pothuajse të njëjta të policimit rrugor, parandalimi i aksidenteve rrugore, rregullimi i trafikut, shkëmbimi i eksperiencave me synimin për një sezon turistik të qetë pa aksidente rrugore dhe pa bllokime”

Ai tha se Policia Rrugore punon vazhdimisht për të përballuar këtë fluks mjetesh që është normalisht i kuptueshëm në situata të tilla në drejtim të plazheve.

“Në kuadër të ketyre masave, janë forcuar shërbimet e policisë në rrugë, si dhe përtej tyre janë marrë masa në bashkëpunim me Entin Pronar të Rrugëve, për pezullime të përkohshme. Për shembull 2 javët e fundit, kemi pasur shqetësime në aksin rrugor Fushë Krujë – Thumanë, aksin rrugor që lidh Veriun e Shqipërisë me Tiranën, si rezultat i punimeve në Urën e Fushë Krujës, kemi pasur ngadalësime, bllokime, rëndesë trafiku. Duke filluar nga sot, në këtë aks rrugor do të pezullohet nga ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes, kthimi i gjithë kamionëve që futen në degëzimin e Luzit për në Fushë Krujë. Pra të gjithë kamionët mbi 7.5 tonë nuk do të futen në këtë zonë rurale për t’u dhënë mundësi drejtuesve të mjeteve të vogla të kalojnë lehtë”, tha Tola.

Ai shtoi se “po koordinojmë me Entin Pronar të Rrugëve për të vendosur sistemet e sinjalizimit dhe për të njoftuar bizneset të zhvendosin dinamikën e transporteve të tyre në orët e natës, ku nuk bëhen pengesë për të tjerët dhe as ne nuk bëhemi pengesë për ata. Pas përfundimit të këtij sezoni turistik, në marrëveshjet në vitet e ardhshme do jemi më dinamikë, në sensin që mund t’i shtrijmë marrëveshjet e bashkëpunimit edhe për fundjava e për festa”./atsh

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/506613836742918/?t=0

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com