Loading...

Klosi: Pasuria e jashtëzakonshme e malit të Tomorrit nuk mund të shkatërrohet për biznes

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i shoqëruar nga zv.ministrja Ornela Çuçi vizituan të rinjtë pjesëmarrës në shkollën verore, ngritur për studentët e Smile Albania në Drimadhes.

Gjatë fjalës së mbajtur me të rinjtë, Klosi theksoi se pjesëmarrja e tyre nuk është vetëm një eksperiencë e mirëfilltë punësimi në shërbim të promovimit të turizmit në Shqipëri, por edhe një mundësi e shtuar në shërbim të dijeve në fushën e mjedisit.

“500 studentët që u përzgjodhën për projektin Smile janë pjesë e trajnimeve të vazhdueshme për të bërë atë që është qëllimi i ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit promovimin e turizmit, të zonat tona natyrore në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit. Besoj ajo që keni bërë në këto 5 ditë të shkollës së verës këtu në Turtle kamp që është një nga kampet më të famshme është një përvojë, që në auditoret e universiteteve do të ishte e vështirë të realizohej”, tha ministri Klosi, gjatë takimit me të rinjtë e Smile Albania, në kampin veror në Drimadhes.

Për të theksuar rëndësinë e mbrojtjes së pasurive tona natyrore, ministri mori shembull malin e Tomorrit, ku foli me të njëjtat tone për vendimin e gjykatës administrative, që refuzon shpalljen e tij zonë të mbrojtur, por ku me rezerva mbajti edhe një qëndrim për shoqërinë shqiptare.

“Ne duam shumë që mjedisi të jetë i mbrojtur, të jetë i pastër por besoj që akoma shoqëria shqiptare nuk ka kuptuar thelbin, nuk e ka kuptuar që mjedisi është i përbashkët , është një pasuri që duhet ta mbrojë gjithsecili nga ne. Ne kemi beteja të vërteta në jetën e përditshme në Shqipëri ku mjedisi vazhdon të konsiderohet një pasuri e askujt, ku ndërtimi i disa guroreve në malin e Tomorit shndërrohet në një debat kombëtar ndërkohë që duhet të jetë një debat fare i injoruar nga shoqëria. Nuk mund të bëhet pafundësisht biznes mbi pasuritë kombëtare, nuk mund të shkatërrohet një pasuri kombëtare aq e madhe sic është Mali i Tomorrit, mali olimpik shqiptar vetëm për të bërë një biznes gurore”, u shpreh ministri Klosi.

Ai shtoi se në kuadër të paktit për universitetin, MTM ka zgjedhur një rrugë të re komunikimi, jashtë zyrave dhe universiteteve. “Duam që këtë konsultë ta bëjmë me studentët dhe studentët ta bëjnë me qytetarët. Është koha të refuzojmë që jemi shoqëri që nuk mbrojmë pasuritë tona të mëdha natyrore si Mali i Krujës apo i Tomorrit, të bëjmë luftë të ashpër për emancipim të biznesit që të mos dëmtojë pasurinë e përbashkët, tema diskutimi që ne duam ti bëjmë më çdo student që ka zgjedhur të jetë pjesë e projektit Smile, 2 muaj që do të shërbejnë jo vetëm për promovimin e turizmit, por edhe për edukimin mjedisor të të rinjve”, -tha ministri Klosi.

Mbrojtja e parqeve kombëtare, zonave të mbrojtura, e atraksioneve turistike, eliminimi i përdorimit të plastikës, kujdesi për të mos ndotur mjedisin, parandalimi i ndotjes detare janë disa nga çështjet e trajtuara gjatë shkollës verore, ku morën pjesë 500 studentë të Smile Albania, punimet më të mira të të cilëve, sipas zëvendës ministres së Mjedisit Ornela Çuçi, do të vihen edhe në zbatim.

“U përzgjodhën 10 projektet më të mira që kanë qëndruar në këtë kamp për 5 ditë dhe kanë punuar me modulet e përgatitura nga profesorët por edhe me trajnime individuale në mënyrë që këto ekstrakte të zhvilloheshin në punime reale dhe në projekte që mund të jetëzoheshin në vendin tonë për të parandaluar ndotjen detare. Projektet janë disa llojesh; ka projekte që kanë të bëjnë vetëm me kërkimin shkencor, ka projekte t cilat kanë të bëjnë me inciativa të cilat mund t’u shiten bashkive apo bizneseve për të qenë shumë më miqësisht mjedisorë. Është me rëndësi që studentët të kenë rol aktiv në të gjitha nismat mjedisore të MTM”,- tha Çuçi.atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com