Loading...

Interneti i shpejtë/ Hapet gara për operatorët celularë, tender ndërkombëtar

Në datën 9 shtator të këtij viti do të çelet gara për dhënien nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të dy autorizimeve të tjera për të drejtat e përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz për operatorët celularë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka miratuar hapjen e tenderit ndërsa është njoftuar zyrtarisht se tenderi do të zhvillohet me procedurë të hapur ndërkombëtare dhe AKEP ka bërë publik edhe njoftimin për mbajtjen e këtij tenderi.

Ky proces synon nxitjen e investimeve për zhvillimin e internetit të shpejtë për të përmirësuar infrastrukturën digjiitale në vend si dhe për të ofruar shërbime më cilësore për qytetarët në të gjithë territorin e vendit. AKEP do të hapë garën për paraqitjen e ofertave nga kompanitë e interesuara në datën 9 shtator 2019.

Në të njëjtën kohë nga realizimi me sukses i këtij procesi për dhënien e 2 të drejtave të përdorimit në brezin e frekuencave 800 MHz, synohet të sigurohet një e ardhur e konsiderueshme, që do të shkojë për buxhetin e shtetit.

Vlera minimale e pranueshme për ofertuesit për dhënien e një autorizimi individual për përdorimin e frekuencave në brezin 800 MHz, të jetë jo më pak se 7.44 milionë euro dhe ofertuesit të cilët do të ofrojnë një çmim më të ulët se kjo vlerë do të s’kualifikohen.

Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përdorimi i Internetit në Shqipëri vijon të rritet dhe komunikimi në internet nga rrjetet celulare është rritur me 15 herë në pesë vitet e fundit.

Numri total i përdoruesve të rrjeteve celulare me akses broadband në internet për vitin 2018 ishte rreth 2.6 milionë, ndërsa numri i përdoruesve aktivë, përdorim të internetit në tre muajt e fundit, rreth 1.8 milionë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com