Sezoni turistik i këtij viti vijon të ketë një fluks të lartë udhëtarësh dhe turistësh të huaj, në portin Vlorës, i dyti më i madh në vendin tonë.
“Gjatë kësaj fundjave në portin e Vlorës kanë ardhur rreth 3050 pasagjerë dhe 440 automjete”, bën të ditur porti i Vlorës.
Autoritetet portuale kanë marrë të gjitha masat për të përballuar fluksin e emigrantëve dhe turistëve që hyjnë apo dalin përmes portit detar të Vlorës, duke hapur sportele shtesë.
Gjatë sezonit të verës në port po punohet me 6 sportele në terminal për përballimin e fluksit të udhëtarëve dhe 3 për makinat.
Qyteti i Vlorës gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit./atsh