Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka i ka shprehur mirënjohje ish-oficerit të marinës që ka shërbyer 50 vite më parë në ishullin e Sazanit në Forcat e Armatosura.
Ministrja Xhaçka sjellë historinë e një çifti të dashuruar në këtë ishull, që rikthehen për të kujtuar 50 vjetorin e lidhjes së tyre.
“Ishulli i Sazanit ka një rëndësi të veçantë për çiftin Shtylla. Emnori, ish-oficeri i marinës dhe bashkëshortja e tij Pavlina kanë punuar dhe celebruar dashurinë e tyre në këtë ishull. Gjysmë shekulli më pas i mundësuam të rikthehen aty për të festuar 50-vjetorin e martesës. Mirënjohje çdo burri e gruaje që kanë shërbyer e shërbejnë në FA!”, shprehet ajo.
Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasiluruese, artileria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe, ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë, të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Gjatë luftës së Ftohtë, ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti më i vështirë për ushtrinë shqiptare.
Ishulli i Sazanit sot vizitohet nga eksploratorë amatorë nënujorë, speleologë, admirues të natyrës, por së fundmi është kthyer në një destinacion dhe atraksion për turizmin e lirë./atsh