Loading...

Norvegjia mbështet Shqipërinë: Përgëzime për reformën në drejtësi, jemi pro hapjes së negociatave dhe anëtarësimit në BE

Shqipëria dhe Norvegjia, në kuadër të intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhëniet shumëplanëshe mes tyre, kanë konkretizuar arritjen e radhës duke nënshkruar një marrëveshje lidhur me financimin dhe zbatimin e projektit “Forcimi i sistemit të ndërmjetësimit në Shqipëri”.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka pritur ambasadorin e Norvegjisë Per Strand Sjaastad i cili vlerësoi rolin që po luan Ministrja Gjonaj në krye të Ministrisë së Drejtësisë për zbatimin e një sërë reformash duke përfshirë këtu dhe reformën në drejtësi.

Gjonaj dhe Sjaastad në emër të ministrisë norvegjeze të Punëve të Jashtme nënshkruan “Memorandumin e Mirëkuptimit”, me qëllim bashkimin e përpjekjeve për zbatimin e projektit ekstra-buxhetor “Forcimi i Sistemit të Ndërmjetësimit në Shqipëri” i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë.

Teksa u diskutua hollësisht situata në Shqipëri, diplomati i lartë përgëzoi Gjonajn për iniciativat e ndërmarra lidhur me rigjenerimin e sistemit të drejtësisë, duke e konsideruar si një hap përpara për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sjaastat u shpreh se shteti norvegjez është i gatshëm për të dhënë ndihmën e tij në raport me projekte të mundshme të cilat do të zhvillohen, sidomos në fushën e drejtësisë. “Shembull suksesi të kooperimit të dy shteteve”, u shpreh Sjasstat, “është projekti për ndërmjetësimin.

“Për sa i përket këtij projekti dhe zhvillimit e projekteve të mëtejshme ju këshillojmë që ndërmjet ministrisë dhe ekspertëve, të rritet dhe të lehtësohet komunikimi midis palëve, të përshpejtohet zhvillimi dhe miratimi i akteve nënligjore të cilat lehtësojnë zhvillimin dhe implementimin e projekteve, të forcohet sistemi referues për dhënien e alternativave të ndryshme ndaj publikut dhe të rritet niveli dhe bashkëpunimi i grupit të ekspertëve”, tha ai.

Strand Sjaastad u shpreh se “vendi i tij është pro hapjes së negociatave me Shqipërinë në Bashkimin Europian duke e konsideruar Tiranën zyrtare si një faktor kyç për stabilitetin në Ballkan”.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, vlerësoi takimin duke shprehur vlerësime për rolin e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë në zbatimin e reformës në drejtësi si edhe reformave të tjera, siç është ajo e përmirësimit të sistemit të ndërmjetësimit, me qëllim rritjen e alternativave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis palëve.

Ministrja Gjonaj i shprehu ambasadorit Sjaastad mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin në projektin e ri dy vjeçar me vlerë rreth 600000 euro, që u konkretizua me nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit në fushën e ndërmjetësimit, e cila konsiston në mbështetje me asistencë teknike dhe financiare.

Pas diskutimit të frytshëm mbi disa nga objektivat dhe sfidat kyçe të MD, Gjonaj dhe Sjaastad nënshkruan “Memorandumin e Mirëkuptimit” me qëllim bashkimin e përpjekjeve për zbatimin e projektit “Forcimi i Sistemit të Ndërmjetësimit në Shqipëri” i cili sipas ministres Gjonaj, do të rrisë aksesin e qytetarëve në drejtësi.

Gjithashtu, përmes kësaj iniciative synohet të jepen njohuri të mjaftueshme në mënyrë që ligji i ri për ndërmjetësim të jetë i zbatueshëm dhe i kuptueshëm nga aktorët kyç, për të nxitur më tej bashkëpunimin.

“Ndërkohë, qëndrimi pro hapjes së negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Europian, ftesat për bashkëpunim, gatishmëria për të investuar, janë të tjera sinjale pozitive të takimit që intensifikojnë më tej marrëdhëniet tona me Norvegjinë”, u shpreh Gjonaj.

Ky Memorandum synon lehtësimin e bashkëpunimit, mbështetjes dhe mirëkuptimit të ndërsjellë midis Ministrisë shqiptare të Drejtësisë si përfituese, Qendrës së Berlinit për Ndërmjetësimin Integrues si aktori kryesor zbatues dhe Ministrisë norvegjeze të Punëve të Jashtme si financuese.

Fokusi i veçantë i projektit është mbështetja e sistemit të ndërmjetësimit në Shqipëri, kryesisht e Ministrisë së Drejtësisë me qëllim forcimin e shtetit ligjor dhe aksesit në drejtësi për qytetarët.

Projekti pritet të ofrojë një sërë ndërhyrjesh të synuara për sigurimin e ekspertizës për MD-në, me qëllim lehtësimin e zbatimit të Ligjit të sapo ndryshuar për Ndërmjetësimin dhe rritjen e kapaciteteve të sistemit të ndërmjetësimit për ofrimin e shërbimit cilësor për qytetarët. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com