Zgjidhje për krizën aktuale në vend sipas kryetarit të opozitës, Lulzim Basha do t’i jepet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe sipas tij, ato do të përsëriten.
Në takimin me strukturat e Partisë Demokratike në Cërrik, kryetari i opozitës Lulzim Basha, u fokusua tek gjendja e rëndë ekonomike, sipas tij, një nga arsyet që krijoi shumicën refuzuese Rama ik.
“Shqiptarët janë të papunë për shkak të vjedhjes dhe të hajdutërisë së Edi Ramës të cilën nuk e ka parë dhe nuk e ka njohur Ballkani. Shikoni Milot Balldrenin, 7-fish koston e rrugës, shikoni Orikum Vlorën. Vetëm këtë javë shikoni vjedhjet që bëjnë me tenderin e uniformës së policisë, dyfish i çmimit, nga 15 milionë në 30 milionë. Shikoni aferën tjetër me kasat fiskale siç e paralajmëruam para disa muajsh, çdo biznes do të paguajë tarifë shtesë” -tha Basha.
Më tej, ai shprehu vendosmërinë e opozitës se kriza nuk do të marrë fund përmes një marrëveshjeje politike – pazar, sikurse ai vetë e cilësoi.
“Kjo krizë do të zgjidhet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe krizat do të përsëriten. Në Europë çdokush që kapet me këto krime shkon para drejtësisë. Kjo krizë nuk do të mbyllet pa çuar para drejtësisë të gjithë pushtetarët e kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm me politikanë me pranga në duar”- tha lideri i opozitës./atsh