Loading...

Asnjë cm2 i truallit nuk do preket nga asnjë privat, mbi të do të ndërtohet vetëm Teatri i Ri Kombëtar

“Asnjë centimetër katror i truallit të Teatrit nuk do të preket nga asnjë privat dhe mbi të do të ndërtohet vetëm Teatri i Ri Kombëtar”, deklaron Kryeministri Edi Rama.

Rama sqaron se pjesa që do t’i jepet privatit në këmbim të një teatri të ri është pjesa përtej murit rrethues.

Duke publikuar pamje nga kjo zonë e cila duket se ka degraduar për shkak të gjendjes së mjeruar në të cilët ndodhet, Kreu i Ekzekutivit nënvizon se “është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, NË KËMBIM TË TEATRIT TË RI që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit”.

“Është folur e stërfolur, shpifur e stërshpifur, akuzuar e stërakuzuar, për truallin e teatrit që do “kafshohet” nga privati! Në fakt ASNJË CM2 i truallit të teatrit nuk do të preket nga asnjë privat dhe mbi të do të ndërtohet VETËM TEATRI I RI KOMBËTAR! Ndërsa po, është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, NË KËMBIM TË TEATRIT TË RI që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit!

Dhe trualli në fjalë është ky që do të shikoni në këtë video.

Shikojeni dhe më thoni: A është ky truall një vlerë arkeologjike, historike, kombëtare apo kulturore, që po e humbet Shqipëria me këtë partneritet Publik-Privat për Teatrin e Ri Kombëtar? Dhe nëse jo, a nuk i’a vlen që në këmbim të këtij trualli, i cili do t’i bashkëngjitet pronave private përreth, Shqipëria të përfitojë një Teatër të Ri Kombëtar të denjë për Shqipërinë që duam? Shikim të mbarë”, shprehet kryeministri. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com