Kryeministri Edi Rama tha se, deri në korrikun e ardhshëm kemi një volum domethënës investimesh me vepra publike dhe në infrastrukturë në dobi turizmit, produkteve bujqësore dhe programit “100 fshatrat” për agroturizmin.
Në konferencën për shtyp paraditen e së martës, Rama tha se, rivitalizimi i parkut të Lurës, Korabit dhe Shebenikut, zona me burime të veçanta mjedisore dhe resurse natyrore do të sjellë dinamikë të re zhvillimi ekonomiko-turistike në këto zona.
Gjithashtu projekti i rrugës Berat-Fier, (zona po potencial të lartë prodhimi bujqësor) është një aks në gjendje të mirë, por shumë i rëndësishëm në mbështetje të zhvillimit të bujqësisë.
“Paralelisht me këto rrugë nacionale ne do të vijojmë me rindërtimin e rrugëve dytësore nga Konispoli, Fieri, Elbasani, Korça etj, zona ku ka nisur zbatimi i programit “100 fshatrat” që mbështet agroturizmin, si fushë e rëndësishme që rrit të ardhurat ekonomike dhe gjeneron zonat rurale”, – u shpreh Rama./atsh