Loading...

Zhvillimi i industrisë së turizmit, Klosi: Vetëm këtë vit u hapën 227 hotele të reja

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u ndal sot te zhvillimi i sektorit të turizmit gjatë dy viteve të fundit, ndërsa deklaroi se “vetëm këtë vit në territorin shqiptar janë hapur 227 hotele të reja, kryesisht në zonën bregdetare”.

Kjo, sipas tij, ka rritur kapacitetin akomodues, por kemi akoma nevojë për struktura hoteliere në nivele cilësore.

Në një intervistë për emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ministri Klosi foli mbi progresin e dukshëm në sektorin e turizmit me investimet në strukturat e reja akomoduese dhe numrin e shtuar të turistëve.

Ai u ndal te bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës për 1 paketë gjithëvjetore në turizëm, duke shfrytëzuar resurset tona nga dimri në verë, nga mali në det, nga qendrat historike në monumentet e natyrës, për të rritur numrin e turistëve në të dyja anët e kufirit.

“Detet Adriatik e Jon janë të përbashkëta, ne duhet ta pranojmë gjithnjë e më shumë këtë fakt. Pushuesit kosovar janë ata të cilët kanë krijuar destinacion, kanë ndihmuar që të zhvillohet zona e hotelerisë në Golem dhe tani po zhvillohet shumë hoteleria në zonën e Shëngjinit dhe Velipojës, por edhe në zonën e jugut”, tha Klosi.

Në vitin 2018, sipas ministrit, “1/3 e vizitorëve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri kanë qenë ata me pasaportë kosovare”. “2 milionë kosovarë kanë hyrë në kufirin shqiptar vitin e kaluar dhe kjo është një rritje me rreth 27% më shumë se një vit më parë. Edhe këtë vit përsëri i kanë qëndruar besnik plazheve shqiptare dhe vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e këtij biznesin në Shqipëri”, tha Klosi.

Shqipëria dhe Kosova së bashku, sipas tij, “kanë shumë mundësi për të ofruar më tepër në turizëm”.

Sezonin e ardhshëm, sipas ministrit “do të ketë vëmendje të shtuar e më shumë bashkërendim për festivalet muzikore të rinisë e të shumë aktiviteteve kulturore në Shqipëri dhe Kosovë.

“Një falënderim të veçantë për medien që na mbështet duke e bërë më të frytshme aleancën tonë të përbashkët për promovimin e turizmit shqiptar”, tha Klosi. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com