Loading...

Meta dekreton 3 ligje, kthen ndryshimet në ligjin për “Planifikimin e territorit”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekretoi sot shpalljen e 3 ligjeve të miratuara nga Kuvendi, ndërsa ktheu për rishqyrtim ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’”.

Presidenti dekretoi shpalljen e ligjit nr. 46/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 006, datë 23.10.2008, “Për mbrojtjen e faunës së egër”, të ndryshuar” dhe shpalljen e ligjit nr. 49/2019 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, (huamarrësi), Fondit Shqiptar të Zhvillimit (agjencia e zbatimit të projektit), dhe KfW Frankfurt Am Main (KfW), për programin e furnizimit me ujë të zonave rurale IV”.

Po ashtu, Kreu i Shtetit dekretoi edhe shpalljen e ligjit nr. 56/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar”.

Ndërkohë ai ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 42/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2014 ‘Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit’, të ndryshuar’”, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e nenit 8 të këtij ligji.

Në arsyetimin e tij, Meta shprehet se këto ndryshime nuk janë konsultuar me ministritë e tjera që lidhen me përmbajtjen dhe efektet e aktit, apo me grupet e interesit.

Sipas tij, “neni 8 i ligjit i paraqitur për shpallje, është jo i plotë dhe i paqartë në formulim”.

“Sipas kësaj dispozite në procesin e rishikimit të projektit, nuk parashikohet dhënia e pëlqimit apo konsultimi me pronarët e trojeve mbi të cilin realizohet vepra. Për këtë shkak, zbatimi i këtij neni sipas formulimit aktual, mund të sjellë aplikim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimit kushtetues të sigurisë juridike dhe të interesit publik”, tha Meta.

Sipas tij, “kjo mund të sjellë konflikt të vazhdueshëm midis sipërmarrësve apo investitorëve me pronarët e pasurive pronë private, mbi të cilat realizohet ndërtimi”.

Po ashtu Presidenti shprehet se “çdo ndërhyrje në ligj nuk duhet të krijojë asnjë hapësirë për keqintepretim, gjë e cila mund të sjellë në praktikë keqpërdorim të fondeve publike e rrjedhimisht dhe cenim të interesit publik”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com