Ish-sekretari i Përgjithshëm demokrat, Arben Ristani tha sot se Shqipëria sot ka nevojë më shumë se kurrë për një opozitë me strategji të qartë, të mirorganizuar, të fuqizuar me njerëz të aftë e të besueshëm.
Ristani reagoi sot ndaj sulmeve të analistëve pranë opozitës në media, që i cilësojnë kritikat e tij si “goditje” ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Zgjedhjet u mbajtën – edhe përkundër përbetimeve të disa personave publikë, analistëve proopozitarë, njërit prej të cilëve jam i detyruar t’i përgjigjem sot me këtë shkrim. Besoj ju kujtohet solemniteti i atyre që përbetoheshin se nuk do lejonin zgjedhje më 30 qershor – solemnitet që mbante nënshkrimin viral #metoo”, tha Ristani.
Sipas tij, jo vetëm që zgjedhjet u mbajtën, “por mesa duket këtë vit në horizont nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, pa Ramën kryeministër”.
“Ky ishte përbetimi tjetër i madh që bëhet tym. Në këtë situatë jam shprehur se PD mund dhe duhet ta mundë në zgjedhje – dhe jo në llafe – Ramën dhe Rilindjen, si e vetmja rrugë qe kemi, edhe pas këshillave dhe insistimit të partnerëve ndërkombëtare, evropianë dhe amerikanë”, theksoi Ristani.
“Ideja se ne duhet të flisnim kur ishte koha për të folur, ndaj tani duhet të heshtim përgjithmonë, më shtyn të mendoj se, sipas kësaj aksiome Gjekmarkiane, njeriu politik është i destinuar të jetojë paradoksin e mërzitshëm në të cilin, nëse flet jashtë llafollogjisë së miratuar nga lidershipi, je i dënuar të quhesh automatikisht ose i shitur, ose i hatërmbetur. Nga ana tjetër, nëse njeriu politik i mbështet dhe miraton tezat e lidershipit, me shpresë dhe besim në vërtetësinë e tyre, ai duhet të heshtë përgjithmonë, pasi duhet të kishte folur kundra tyre më parë”, tha Ristani.
“Ku do na shpjerë ky qëndrim? Uniteti grushtbashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbërthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës”, përfundoi ai. /atsh