Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali tha se mazhoranca është e gatshme për dialog me opozitën, por Lulzim Basha nuk përcakton se kush është kryeministër.
Gjatë një interviste televizive, Spiropali tha se qeveria është e gatshme të bashkëpunojë.
“Ne jemi të gatshëm t’i shtrijmë dorën e bashkëpunimit, por rregullat e lojës për sistemin nuk i vendos Lulzim Basha se kush është kryeministër në këtë vend, nuk i ndërpret dot ai mandatet qeveritare. Ne besojmë vetëm tek vota dhe asaj i përulemi”, – u shpreh ajo.
Spiropali tha po ashtu se dialogun me opozitën e shohin të padiferencuar. Sipas saj, mazhoranca kërkon dialog, jo pazare politike.
“Ne nuk nisim mesazhe private, apo gjysmë konspirative, apo të veçojmë. Ne opozitën jashtëparlamentare e marrim si të tërë dhe respektojmë vendimet e tyre për aq sa vendimmarrja e tyre nuk cenon rendin, sigurinë apo Kushtetutën në vend. Nuk bëjmë ndarje të tilla dhe nuk jemi të gatshëm të bëjmë pazare të këtij soji, ama jemi të gatshëm për t’u ulur në tryezë për të dialoguar”, – theksoi ajo.
Lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit, ministrja u shpreh se “u bënë zgjedhje në 30 qershor. Pavarësisht fitores apo humbjes, ne bëjmë analizën tonë. Zgjedhjet e 30 qershorit ishin të posaçme, ishin ndryshe, ju keni të drejtë, në fakt nuk fitoi thjesht një forcë politike, fitoi Shqipëria, u bënë zgjedhjet. Kaosi, paligjshmëria, tymi, flaka e molotovi e të tjera shfaqje të politikës sonë të opozitës së këtyre muajve dështuan me turp dhe Shqipëria e mbajti kokën lart, jo vetëm përballë qytetarëve të saj, por edhe partnerëve që presin stabilitetin dhe një sjellje serioze nga faktorët politikë. Në këtë kuptim, ne do të bëjmë analizën tonë. Nuk kemi shenja triumfaliste, as kemi dëshirë për të shfaqur entuziazëm të tepruar, ama kemi nevojë të bëjmë një analizë të saktë për çdo zonë, çdo bashki, për qeverisjen vendore dhe të nisim me një entuziazëm të ri që është qeverisja e re vendore”.
Sipas saj, mazhoranca do të kishte preferuar zgjedhje vendore ndryshe nga ato që u zhvilluan, por kjo e fundit erdhi si pasojë e vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në votime.
“Nuk ka qenë zgjedhja jonë dhe ne do të kishim preferuar ndryshe. Ne do të kishim preferuar që Partia Demokratike, Partia Socialiste për Integrim e forca të tjera që mbështesin të përballeshin me ne. Ata e zgjodhën këtë rrugë dhe ne nuk ndihmë aspak entuziastë të arsyes tonë politike, faktin që do të qeverisim 61 bashkitë e vendit por dimë mirë që fitoi ligji dhe Kushtetuta në vend. Shumë shpesh janë bërë pazare në kurriz të Kushtetutës, pazare partiake, personale të liderëve politikë që kanë synuar që të frenojnë zhvillimet politike në vend, në mënyrë që të ruajnë veten apo të avancojnë interesat e tyre personale që nuk kanë lidhje me interesat e përgjithshme. Të njëjtën gjë donin të bënin edhe më 30 qershor”, – tha Spiropali.
“Sa i përket pjesës së raporteve politike me opozitën jashtëparlamentare dhe atë parlamentare, ku patjetër ka nevojë ende për dialog dhe për disa reforma të rëndësishme që duhet t’i kalojmë në Kuvend, ne jemi të gatshëm për dialog ashtu sikurse kemi qenë gjithmonë, vijimësisht në mënyrë të pandërprerë. Ne kemi kërkuar dialog me 4 krerët e opozitës, sepse vendimet kanë qenë të tyret, i kanë marrë në kushtet e një aksioni yxhym, të pakonsultuar me pjesën tjetër, lërë me forumet e tyre që nuk janë mbledhur kurrë por po flasim për deputetët dhe tani kanë nevojë edhe ata të bëjnë analizën e tyre”, – shtoi ajo.
Ministrja tha se Lulzim Basha detyroi kryetarët e bashkive të PD-së të mos kandidonin.
“Lulzim Basha nuk po di çfarë do dhe këtu fillon dhe mbaron problemi. Sepse retorika e zotit Basha në 6 muajt që i paraprijnë 30 qershorit ishte kjo apo jo: nuk do të lejojmë të bëhen zgjedhjet, duhet të ikë Kryeministri Rama, duhet të kemi një qeveri tranzitore. Për ne ishte krejt e pakuptimtë, por besoj ishte e pakuptimtë edhe për partnerët ndërkombëtare, sepse nuk kuptonin se ku mund të negocionin apo ku ata mund të ndërmjetësonin por në pikën që jemi, pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Lulzim Basha nuk ka gjetur edhe një retorikë të re. Nuk po tregon dot një përrallë tjetër, pra po tregon të njëjtën përrallë. Pra, po e mban elektoralin e tij, votuesit e PD-së, krerët e bashkive që i detyroi të heqin dorë nga kandidimi dhe tani ata duhet të dalin dhe t’i bashkohen protestës në rrugë ndërkohë që administronin pushtet të vërtetë në pushtetin vendor dhe aktualisht Partia Demokratike nuk ka as këshilltarë, as kryetarë bashkie, as deputetë, krejtësisht jashtë sistemit”, – argumentoi Spiropali.
Për ndryshimet e mundshme në qeveri, ministrja Spiropali u shpreh se nuk ka arsye për to, megjithëse nuk mohoi analizën sektor më sektor.
“Nuk besoj se ka arsye për ndryshime në qeveri, megjithatë analiza bëhet në fund të sesionit për ligjet që kanë kaluar, sa impakt kanë pasur, sa reforma janë kryer, analizë sektor për sektor dhe kjo është e nevojshme, bëhet ekonomia, rendi e të tjera çështje dhe patjetër që është pastaj diskrecion i Kryeministrit për të vendosur”, – tha ajo. /atsh