Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste miratoi sot disa ndryshime në udhëheqjen e qarqeve dhe sekretariatin e partisë.
Kryeministri Edi Rama njoftoi disa ndryshime në udhëheqjen e qarqeve. “Duke ndjerë nevojën për të përmirësuar drejtimin politik në Qarkun e Shkodrës, Qarkun do ta drejtojë kryetari i ri i bashkisë Shkodër, Valdrin Pjetri. Në Qarkun e Tiranës që ketë më shumë rezultat propozoj ta drejtojnë bashkërisht Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati, të ndarë sipas territoreve. Sandër Lleshi do të drejtojë Qarkun e Lezhës, ndërsa në qarqet e tjera do të vazhdojmë siç jemi”, – tha Rama.
Po ashtu, Rama tha se “do të bëhen disa axhustime të rëndësishme dhe të nevojshme sa i takon sekretariatit të partisë”. “Meqë kemi krijuar një format të ri organizimi me tre këshillat drejtues të tre rajoneve dhe puna e këtyre këshillave parashikohet të jetë goxha e rëndësishme dhe jo thjesht mbledhje për të diskutuar për emërime apo largime politike, por për të diskutuar për qeverisjen në nivel qendror dhe vendor në territor, kemi menduar të kemi një sekretar që do të koordinojë punën e këtyre këshillave dhe për këtë do të ngarkojmë Ilir Beqajn”, – tha Rama.
Ndërkohë Lindita Nikolla sipas tij, do të merret me çështjen e mangësive në regjistrin e burimeve njerëzore.
“Nga ana tjetër, po një çështje paralele dhe shqetësuese është çështja e partisë online. Duke qenë i pari politikan që kam bërë ‘ciu, ciu’, më takon të ndjehem i shqetësuar që jemi shumë larg asaj që duhet të bëjmë. Për këtë do të jetë Blerina Gjylameti, që është njeriu i duhur që gjithë eksperiencën e koordinimin ta transformojmë bashkërisht në një organizim komplet të ri dixhital të partisë. Në kushtet kur Elisa do të marrë drejtimin e Qarkut të Tiranës bashkë me Ervin Bushatin, i besojmë drejtimin e rinisë, Gent Cakës. Pjesa tjetër e sekretariatit mbetet siç është, me ndryshimin që organizimi bashkohet me koordinimin në një dorë nga ana e Arben Pëllumbit”, – tha Rama. /atsh