Loading...

Shqipëri-Itali, projekte të përbashkëta në fushën e Doganave

Rritja e bashkëpunimit midis administratave doganore shqiptare dhe italiane është theksuar gjatë takimit të dy drejtoreve të përgjithshëm të dy vendeve.

Drejtori i Agjencisë së Doganave dhe Monopoleve të Italisë, Benedetto Mineo, priti në Romë, në selinë e Agjencisë në Piazza Masai, Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave Shqiptare, Arlind Gjokuta.

Gjatë takimit u diskutuan tema me interes të përbashkët në fushën e asistencës së ndërsjelltë administrative duke analizuar rezultatet e arritura në luftën kundër trafiqeve të paligjshëm në dy anët e Adriatikut. Të dy drejtuesit theksuan domosdoshmërinë e forcimit të marrëdhënieve të ngushta të bashkëpunimit si në nivel qendror, ashtu dhe në nivel lokal midis porteve me fluks të madh tregtar.

Gjithashtu u vlerësua rëndësia e pjesëmarrjes së përbashkët në projektet rajonale si SEED dhe INTERREG, që kanë si objektiv thjeshtësimin dhe lehtësimin e lëvizjes së mallrave, dhe në veçanti ndërmjet Porteve të Barit dhe Brindizit me portin shqiptar të Durrësit në optikën e zhvillimit të rrugës detare të Adriatikut Jugor, si një aks i rëndësishëm për lëvizjen e mallrave midis Azisë dhe Europës.

Ky takim i drejtorëve të përgjithshëm u organizua në kuadër të raporteve shumë të mira që karakterizojnë marrëdhëniet midis dy Administratave Doganore, të cilat vetëm gjatë 6 viteve të fundit kanë bashkëpunuar në tre Projekte Binjakëzimi, të financuara me 5 milionë euro nga fondet e Bashkimit Europian, ku u përfshinë ekspertët e dy administratave doganore në një tërësi prej 3550 ditë pune./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com