Taskforca për Turizmin e Prefektures së Qarkut Durrës ka vijuar aksionin e saj në plazhin pranë Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit për të liruar plazhet publike të zaptuara nga sipërmarrësit privat. Aksion ky që është vlerësuar edhe nga pushuesit dhe banorët e zonës.
Aksioni Taskforcës i mbështetur dhe nga Policia e Shtetit, u fokusua në dy zona: te Shkëmbi i Kavajës dhe zona e Golemit, ku u liruan katër hapësira publike të zaptuara, ndërsa më herët aksioni është shtrirë në të gjithë vijën bregdetare nën jurisprudencën e Prefekturës së Durrësit, duke nisur nga Gjiri i Lalëzit e duke vijuar deri në kufi me Kavajën.
Gjatë vëzhgimit të bërë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, qytetarët u shprehën pozitivë ndaj nismës së kësaj Taskforce. “Kam 15 vite që bëj plazh në këtë zonë dhe në fillim kemi pasur një rrip plazh publik, por tani ishte zhdukur”, tha ajo. “Sot bashkia erdhi dhe e hapi. Ne kemi shtëpinë këtu. Pse duhet të paguaj shtratin e plazhit, pse duhet të paguaj. Kur kam shtëpinë këtu, duhet të kem dhe vendin tim këtu në rërë”, tha një zotëri tjetër.
Përfaqësuesit e Bashkisë së Durrësit gjatë aksionit, teksa u përballnin me sipërmarrësit që kishin zaptuar plazhet publike, garantuan qytetarët se do respektohet ligji për hapësirën publike që u takon. Qytetarët dhe banorët e zonës pranuan se Bashkia edhe vitin e shkuar kishte reaguar në lidhje me të njëjtin fenomen. “Edhe vjet dhe sivjet jam i detyruar në bazë të ligjit të hap hapësirën e nevojshme për plazhin publik. Plazhi publik është pa pagesë, e ofron Bashkia, që ja jep banorëve”, garantoi nëndrejtori i Policisë Bashkiake i pranishëm në aksion.
“Unë kam shumë vite që vi këtu te Shkëmbi Kavajës. Sivjet paska bërë shumë ndryshime kryebashkiaku i Durrësit. Policia Bashkiake është prezentë dhe na qëndron pranë për çdo problematikë”, tha një zotëri që po ndiqte nga pranë aksionin e Taks-Forcës për bregdetin.
Ndërsa për ATSH, punonjësit e Policisë Bashkiake u shprehën se “jemi duke mbajtur në kontroll plazhet publike që ka liruar bashkia. Jemi këtu dhe ruajmë të gjitha këto plazhet dhe vrojtojmë dhe fenomenit e tjera”.
Qytetarët u shprehën mirënjohës për punën e bërë. “Ne e vlerësojmë punën e Policisë Bashkiake. Kjo Bashki ka ardhur edhe vitin e shkuar. Kemi qenë të shtrirë mbi njëri-tjetrin, kemi pasur konflikte mes nesh”, tha një zonjë tjetër aty pranë.
“Erdhi polica bashkiake liroi vendin. Mua më pëlqen veprimi”, thotë zotëria tjetër. Kam shtëpinë këtu dhe ndryshimet janë të mira”, vijon ai.
Oltsen Gripshi Koordinator i Taskforcës për Turizmin, Prefektura e Qarkut Durrës u shpreh se puna e bërë deri më tani do të vijoi deri në fund të sezonit veror. “Ky është një bashkëpunim i ndërsjellët mes institucioneve vendore dhe atyre qendrore bashkë me Task Forcën e kryesuar nga Prefekti i Qarkut. Jemi munduar të vendosim në veprim ligjin, duke krijuar dhe hapur plazhet publike. Kemi nisur që në mëngjes këtu në zonën e Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës për të krijuar hapësirat e mundshme për pushuesit vendas e të huaj. Sot u liruan 3-4 plazhe deri më tani. Në total janë mbi 13-14 plazhe publike të rikthyera te qytetarët. Pas një aksioni të ndërmarrë nga prefekti i Durrësit ka nisur një aksion i gjerë për lirimin e hapësirave publike duke nisur nga Gjiri Lalëzit, duke vijuar te Plazhi i madh i Durrësit dhe tashmë në Shkëmbin e Kavajës dhe Golem”, tha Gripshi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare./atsh