Ministrja e Arsimit Besa Shahini deklaroi nga ceremonia e prezantimit të Kampusit Universitar se shumë ndryshime kanë ndodhur që pas protestës së studentëve pas reformave të ndërmarra në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës. Shahini i bëri thirrje studentëve që të vijojnë të parashtrojnë kërkesat e tyre edhe gjatë zgjedhjeve që do të zhvillohen këtë fillimvit në Universitet.
“Dua të flas pak për Paktin për Universitetin. Në dhjetor dëgjuam studentët dhe në janar hartuam planin i cili ka në vëmendje studentët për punësim dhe projekte studentore. Do të shtojmë buxhetin për bursat dhe për shërbimet e tjera që iu nevojitet studentëve. Shtesa këtë vit kapi vlerën e 2 miliardë lekëve të reja. Këtë do e realizojmë edhe më mirë vitin tjetër. Kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe me Ministrinë e Kulturës. Me bashkinë kemi mundësuar pajisjen e studentëve me karta. Portalin për transparencën financiare dhe kemi mundësuar që kushdo të shohë financimin për çdo universitet”, – tha Shahini.
“Kemi bërë sondazhin kombëtar të studentëve ku morën pjesë studentë nga e gjithë Shqipëria. Nga Universiteti i Arteve morën pjesë gjysma e studentëve, pra kjo është një mostër e mirë për të marr përshtypjet dhe eksperiencat e studentëve. Nga ky sondazh dolën rezultate se studentët ishin të kënaqur me pedagogët e tyre, dhe nuk ishin shumë të kënaqur me strukturat drejtuese të universitetit”, – u shpreh Shahini.
Ajo shtoi se, “pyetjes nëse pritshmëritë e studentëve janë përmbushur nga universiteti, janë përgjigjur 35% me po. Ky është një moment që duhet të reflektojmë se çfarë do bëjmë muajt në vijim që semestri tjetër i vitit akademik të na gjejë më mirë”.
“Në fillimin e viti tjetër janë zgjedhjet për organet drejtuese në gjitha universitetet publike. Ky është një moment i mirë pasi nisin diskutimet brenda universiteteve për mënyrën sesi do të qeveriset universiteti gjatë 4 viteve të ardhshme. Pakti për Universitetin nuk realizohet pa ju, ndaj aktivizimi juaj është i nevojshëm për përmirësimin e përbashkët të universitetit”, – përfundoi Shahini. /atsh