Opozita është e gatshme të ndërmarrë çdo hap për t’u garantuar shqiptarëve të drejtën e votës dhe, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të garantuar një qeveri që buron nga njerëzit dhe u shërben njerëzve”, deklaroi sot Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në një prononcim për shtyp, Basha tha se “kreu i shtetit mendon se 13 tetori është një mundësi për daljen nga kriza politike, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, zgjedhjeve lokale dhe siç është shprehur politikisht edhe përmes zgjedhjeve presidenciale që nënkupton ndryshimet kushtetuese”.
“Duke vlerësuar maksimalisht qëndrimin e presidentit dhe shqetësimin e tij, i kam bërë të qartë që PD dhe opozita e bashkuar janë në këtë betejë për njerëzit. Që zgjedhjet e ardhshme, ndryshe nga farsa e 30 qershorit duhet të jenë për njerëzit dhe jo për partitë”, tha Basha, duke informuar mbi takimin me Kreun e Shtetit.
Ndërsa për takimin me aleatët, Basha tha se është diskutuar për aksionin e mëtejshëm politik, që sipas kreut të PD-së do të jetë në disa rrafshe.
“Sot në takimin me opozitën kemi diskutuar për hapat e mëtejshëm që do të hidhen në aksionin tonë politik në të gjitha rrafshet në raport me njerëzit, në raport me faktorin ndërkombëtar dhe në raport me zgjidhjet që presin dhe do ti ofrojmë qytetarëve”.
“Kemi diskutuar gjerë e gjatë për emergjencën ekonomike ku ndodhet vendi. Sepse një nga mëkatet më të mëdha, një nga fajet më të mëdha të kësaj bande që na qeveris është se duke tërhequr opozitën në betejën parimore për vlerat themelore të lirisë dhe demokracisë, të luftës kundër krimit dhe drogës, ia ka dalë ti vërsulet Shqipërisë, buxhetit të saj, pasurive të saj, ta vjedhë dhe grabisë qytetarin e thjeshtë, pasuritë e këtij vendi dhe ta zhysë ekonominë në ditën e saj më të zezë në të paktën dy dekada. Ndaj bashkërisht kemi diskutuar për platformën tonë ekonomike, për zgjedhjet ekonomike që shqiptarët meritojnë dhe do të kenë me fitoren e opozitës së bashkuar, e cila tashmë jo vetëm përmes studimeve të opinionit publik, por edhe përmes referendumit të 30 qershorit është konfirmuar si maxhoranca e re politike”, tha ai./atsh