Loading...

Ky vend nuk do udhëhiqet nga kompanitë, por nga kontratat

Zv.kryeministri Erion Braçe ka reaguar lidhur me mungesën e korrektësisë së një kompanie që ka ndërtuar kanalet e rrjetit vaditës në zonën e Divjakës. Sipas Braçes, kompania ka shkatërruar rrugët në zonën në fjalë dhe duhet të mbajë përgjegjësi sipas kontratës që ka me institucionet shtetërore.

“Ky vend, nuk do udhëhiqet nga kompanitë por nga kontratat!”, garantoi Braçe.

“Kjo është rruga e fshatit Korie në njësinë Gradisht të bashkisë Divjakë. Siç e shihni ka qenë e shtruar me asfalt! Kompania që po ndërton kanalet e rrjetit vaditës në drejtim të Zharnecit dhe Adriatikut, e ka shkatërruar! Detyrimi në kontratë thotë që kompania duhet të ktheje në gjendjen e mëparshme çdo rrugë që dëmton. Në fakt, e ka shkatërruar!”, deklaroi Braçe

“Bashkë me ministrinë e Bujqësise, bashkinë Divjakë kemi 3 muaj që i kërkojmë kompanisë të rindërtojë këtë rrugë dhe çdo rrugë parcelash që ka shkatërruar me mjetet e rënda. Për turp, jo vetëm që është vonuar përtej çdo caku por dhe nuk përmbush kontratën në pikën e rindërtimit të çdo gjëje që ka shkatërruar; këtu në Korie ka hedhur çakull mbi gropa të thella e ka ikur! Ndërkohë rruga është shembur e shkatërruar plotësisht!”, sqaron zv. kryeministri.

“Kam dy thirrje: e para për kompaninë kineze dhe çdo kontraktor shqiptar të saj: kthehuni dhe rindërtoni rrugët që keni shkatërruar! Kontrata juaj do quhet e përfunduar kur ju të keni rindërtuar çdo rrugë fshati e rrugë parcelash që keni shkatërruar! Ndryshe, unë i pari do ju kallëzoj penalisht!”, paralajmëroi Braçe.

“E dyta për çdo institucion që miraton pagesat dhe merr në dorëzim veprën sipas kontratës: Mos pranoni e mos paguani situacione të rreme! Verifikoni në vend në përputhje me kontratën çdo faturë! Ju që do merrni në dorëzim veprën; Mos e bëni pa verifikuar në terren detyrimet kontraktuale, funksionalitetin e veprës por edhe përmbushjen e çdo detyrimi sipas kontratës për rindërtimin e çdo rruge të shkatërruar! Ndryshe përgjegjësia ligjore do të jetë shumë e rëndë mbi ju!”, përfundon reagimi i zv.kryeministrit Erion Braçe./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com