Loading...

“New York Times” për pasuritë nënujore shqiptare: Zbulohen 22 amfora antike

Në detin Jon, në afërsi të brigjeve shqiptare, janë gjetur amfora antike, të paktën 2500-vjeçare që mund të dëshmojnë për mbetjet e një anijeje të lashtë, sipas një projekt i përbashkët shqiptaro-amerikan të arkeologjisë nënujore, shkruan prestigjiozja amerikane “New York Times” (NYT).

Sipas ekspertëve të anijes kërkimore “Hercules” e “Fondacionit Detar RPM” janë gjetur 22 amfora, një vazo me dy mbajtëse me një qafë të ngushtë që përdoret për verë ose vaj, në një thellësi prej 40-60 metrash të shpërndara rreth shtratit të detit pranë një bregu shkëmbor në afërsi të gadishullit të Karaburunit.

Arkeologu Mateusz Polakowski tha se ata besojnë se amforat e llojit korintas datojnë në mes të shekullit VII dhe shekullit V para Krishtit.

“Nëse mund të gjenden mbetjet e një anije, kjo do të mundësonte të zbulohej anija më e hershme që ka lundruar përgjatë bregdetit shqiptar”, tha Polakowski.

Kryetari i RPM-së, James Goold, e konsideroi këtë zonë si “një nga më të rëndësishmet e të gjitha zbulimeve tona… do të jetë shumë e rëndësishme nga një perspektivë historike dhe arkeologjike nëse vërtetohet”.

Megjithatë janë të nevojshme kërkime të mëtejshme në zonë.

Arkeologu shqiptar Neritan Ceka u shpreh se “amfora të ngjashme vere me origjinë korinthase dhe kerkirase janë gjetur në Durrës dhe Apoloni dhe në zona të tjera në brendësi të Shqipërisë, gjë që tregon për tregtinë intensive gjatë gjysmës së dytë të shekullit VII para Krishtit, përgjatë bregdetit shqiptar”.

Që prej viti 2004, RPM-ja ka analizuar shtratin e detit në Shqipëri për anije të vjetra dhe moderne, me plane të vazhdueshme për hapjen e një muzeu nënujor në Shqipërinë perëndimore.

“Kjo sigurisht do të ishte një pikënisje e mrekullueshme për një program kombëtar rreth të cilit të krijohej një muze dhe do të tregonte rolin kryesor të Shqipërisë në antikitet”, tha Goold.

“Autoritetet shqiptare janë duke planifikuar një projekt të ri katër-pesëvjeçar me RPM-në dhe Institutin e Arkeologjisë Detare, me bazë në Teksas, për të eksploruar mundësitë e gërmimit të mbetjeve, një proces financiarisht i shtrenjtë dhe shkencërisht delikat”, shtoi Ceka.

Kërkimet në Shqipëri deri më tani kanë zbuluar 28 zona me anije të mbytura, si dhe disa grumbuj amforash dhe gjetjesh të tjera nga Saranda dhe Butrinti në jug e deri në Durrës dhe më pas synohet të shkohet në veri të Durrësit.

“Prania e RPM-së në 12 vitet e fundit ka qenë një “hap i madh” për studiuesit shqiptare të arkeologjisë nënujore”, sipas Auron Tares, kreu i UNESCO-s për Komitetin Shkencor dhe Teknik për Trashëgiminë Botërore Nënujore.

“Nëse konfirmohet, kjo mbetje e anijes mund të shoqërohet me themelimin e dy qyteteve kryesore në bregdetin shqiptar, Dyrrachium (Durrësi modern) dhe Apolonia, dy portat e rrugës Egnatia, rruga e lashtë drejt tregtisë lindore”, theksoi Tare.

“Ne kemi zbuluar jo vetëm anije të lashta, por edhe një numër të mirë të mbetjeve të anijeve të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore që hedh dritë mbi një kapitull të panjohur të historisë sonë”, vazhdoi ai.

Shqipëria po përpiqet të mbrojë dhe të përfitojë nga trashëgimia e saj e pasur nënujore, me fonde të pakta për ruajtjen e saj nga qeveria e një prej vendeve më të varfra të Europës. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com