Agrobiznesi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e biznesit për sipërmarrje të reja.
Produktet e bimëve mjekësore e aromatike (BMA) dhe fruta-perimeve, së bashku po udhëheqin rritjen e eksporteve shqiptare, duke zënë rreth 42% të totalit të vlerës së eksportit, në kategorinë e ushqimit, pijeve dhe duhanit, si dhe me rritje në vëllime dhe vlerë, nga viti në vit.
Për vetë ritmet e rritjes dhe potencialin që bart, ky sektor po tërheq vëmendjen e sipërmarrjeve të reja që po shtojnë investimet dhe po shtojnë numrin e të punësuarve.
Në sektorin e grumbullimit të bimëve mjekësore dhe aromatike (BMA) janë të angazhuar rreth 100.000 familje rurale në shkallë vendi, të cilat sigurojnë të ardhurat nga vjelja dhe grumbullimi i BMA-ve.
Rreth 95% e prodhimit të përgjithshëm të BMA-ve eksportohet, duke përfaqësuar 20% të vlerës së eksporteve bujqësore të vendit
Ndërsa zinxhiri i vlerës së këtij sektori, përbëhet kryesisht nga: 35 shoqëri përpunuese dhe eksportuese në shkallë vendi, prej të cilëve 15 eksportues të mëdhenj; 150 grumbullues lokalë në shkallë vendi, prej të cilëve 10 grumbullues rajonalë.
Sektori i BMA-ve paraqet kështu mundësi të mëdha për zgjerim të investime dhe krah të ri pune.
Gjithashtu sektori i fruta-perimeve përbën një tjetër sektor strategjik për eksportet shqiptare.
Ky sektor përbën rreth 30% të vlerës së eksportit të kategorisë së ushqimit, pijeve dhe duhanit. Pritet që ecuria e sektorit të rritet më tej, pasi ka përpjekje nga eksportues që synojnë të hyjnë në tregjet me vlera më të larta në Europë. Aktualisht rreth 65% e të ardhurave nga eksporti i perimeve vjen nga eksporti drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjithsesi, për të pasur qasje në tregjet cilësore të BE-së, është e domosdoshme të sigurohet përputhshmëria me standardet dhe certifikimet përkatëse. Shumica e rrjeteve të mëdha të supermarketeve në Europë kanë si objektiv të kenë deri në 100% të produkteve të certifikuar në raftet e tyre. Në këtë kontekst, eksportuesit në Shqipëri kanë nisur procesin e certifikimit Global G.A.P në grup, në bashkëpunim me fermerët e tyre, për të realizuar një standard që rrit sigurinë e produktit, mbrojtjen e shëndetit të njerëzve dhe mjedisit.
Ndërsa skemat IPARD dhe skema të tjera përbëjnë një mundësi për përballimin e këtyre investimeve. /atsh
