Zëdhënësja e Qeverisë, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kuvend në seancën për ngritjen e Komisionit Hetimor që do shqyrtojë kërkesën e parlamentit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, tha se “ky komision duhet të ngrihet sa më shpejt për të shpëtuar institucionin e presidentit nga ky turp që e ka prekur”.
“Ilir Meta nuk ka shkelur rëndë vetëm kushtetutën e Shqipërisë, siç ka renditur qartë rezoluta e Kuvendit dhe raporti i Komisionit të Ligjeve, por më zi akoma, ka shkelur brutalisht mbi republikën tonë parlamentare dhe vijon marshon komikisht mbi kodet e komunikimit publik, duke cenuar rëndë bashkëjetesën politike”, tha Spiropali.
“Vendi ynë kaloi gjashtë muaj tentativa antikombëtare për destabilitet, duke shkatërruar zgjedhjet e 30 qershorit. Molotovët e flakadanët vërtet i mbante në dorë opozita, por urat e flakës i mbante ndezur Ilir Meta nga zyra e presidentit”, shtoi Ministrja Spiropali.
“Për muaj të tërë, Shqipëria përjetoi kërcënimet e urrejtjes politike, llumit mediatik dhe kaosit shoqëror. Në asnjë moment presidenti nuk doli mbi këtë turp kombëtar. Ai ushqeu për ditë me lugën zbrazët të një dekreti nul shpresat e çartura të opozitës së rrugës, për ta kthyer 30 qershorin në ditën e përplasjes së madhe, ku shteti shqiptar do të merrte goditje fatale, nga e cila nuk do ta merrte veten për shumë dekada në kalendarin europian të integrimit”, vijoi Spiropali.
“Shqipëria mund të kthehej në makthin e shqiptarëve dhe ëndrrat më të bukura të armiqve tanë. Një vend që nuk bashkëjeton dot paqësisht, që nuk bën dot shtet e nuk organizon dot zgjedhje. Duke nxitur instinktet më të ulta të luftës pa fre për pushtet, presidenti u kthye në simbolin kombëtarë të paligjshmërisë, pandëshkueshmërisë, dhunës, harbutërisë, padrejtësisë, kërcënimit, duke cenuar rëndë bashkëjetesën demokratike dhe imazhin e vendit”, theksoi Spiropali.
“Presidenti jo vetëm thjesht zhdekretoi dhe dekretoi një datë zgjedhjesh, duke shpikur një praktikë të padëgjuar e provuar në botë, por planifikoi kthimin pas të orës së Shqipërisë. Kumtet e tij ishin të qarta, qameti u bëftë, Shqipëria kurrë mos e bëftë. Atentati ndaj të ardhmes europiane të Shqipërisë i planifikuar me Berishën, kishte si zbatues Bashën e Kryemadhin. Atentati dështoi jo vetëm prej vendosmërisë së kësaj shumice, por dhe falë mbështetjes pa kushte të miqve tanë SHBA e BE”, sqaroi Spiropali
“Të gjendur në këtë udhëkryq, këta miq historik u gjendën më fortë se kurrë në krah të shqiptarëve, duke dëshmuar me provë se për ne dielli lind andej nga perëndon”, nënvizoi ministrja Spiropali.
“Në kërkesën për shkarkimin e Presidentit kemi argumentuar se ai ka shkelur rëndë Kushtetutën, duke marrë tagra të sovranit dhe kuvendit, pariminin e sovranitetin, është sjell arbitrarisht me pushtetin, anuloi arbitrarisht datën e zgjedhjeve, cenoi periodicitetin, ka cenuar të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Ai po cenon besimin e qytetarëve të institucioni i Presidentit, po përgojojnë partnerët tanë, po cenon unitetin e kombit, po tall një komb të tërë. Të ngremë këtë komision sa më parë. jo për të shpëtuar Ilir Metën nga vuajtjet e kafazit të presidencës e ti japim mundësi ta kthejmë te livadhi i LSI, por për të shpëtuar institucionin e republikës së presidentit nga ky turp. Sa për zagarët dhe qenushët që ka hedhur në sulm partia e tij(LSI), përgjigje kam me vargjet e Poradecit, shpirt katran që më qortojnë, janë qenë që s’më kafshojnë”, përfundoi Spiropali./atsh