24 barka vela, duke përfshirë edhe dy mjete ushtarake të këtij lloji, respektivisht të “Guardia di Finanza” dhe Forcës Detare Ushtarake Italiane, u bënë pjesë e manifestimit sportiv-kulturor “Regata del Grande Salento Bridisi-Valona”, që kulmoi në qytetin jugor bregdetar me tre ditë të mbushura me veprimtari të shumta.
Ky aktivitet, i organizuar nga Lidhja Detare Italiane e Brindisit, Konsullata e Përgjithshme e Italise në Vlorë, Bashkia Vlorë, Kooperacioni Italia dhe Guardi di Finanza, përkonte me edicionin e 9-të, çka e ka shndërruar atë tashmë në një traditë që përsëritet çdo verë.
Mjetet lundruese turistike sportive, ishin nisur nga porti i Brindisit për të mbërritur në Vlorë, ku u zhvillua edhe faza e pasardhëse e këtij manifestimi të përbashkët, edicioni i dytë i Regatës së gjirit të Vlorës.
Pikërisht, tek ky element e shohin simbolikën e këtij manifestimi, organizatorët, duke përcjellë mesazhin se, Adriatiku nuk ndan por afron më tepër dy popujt dhe vendet tona.
Prandaj dhe, jo rastësisht, “Regata…..”, emërtohet ndryshe, “Trofeu i mikpritjes” dhe cilësohet nga organizatorët edhe si një manifestim i vlerave më të mira mes dy popujve.
“Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, lindi 9 vjet më parë, në 2011-ën, në përvjetorin e 20-të të zbarkimit të emigrantëve shqiptarë në Brindisi, si një moment dhe si një mënyrë domethënëse për të kujtuar dhe përshkuar të njëjtin itinerar të shpresës për një ditë të re dhe të ardhme ndryshe.
Ky mesazh, kjo simbolikë, përcillen çdo vit në fillim korriku në atë pikënisje me kahje të kundërt që starton nga Brindisi për të mbërritur në Vlorë dhe anasjelltas, si dëshmi e ndryshimit dhe rrugës së vlerave të përbashkëta.
Por, ky edicion kishte të veçantat e veta, që e bënë atë më të pasur dhe më atraktiv në përmbushjen e qëllimit për të përafruar kultura dhe ide.
Edicioni i Dytë i Regatës së Gjirit të Vlorës, trofeu “Mirko Gallone”, u shndërrua edhe në një garë, në një manifestim sportiv që u ndoq nga qindra qytetarë vlonjatë, turistë të huaj e pushues vendas, të cilët shëtisnin përgjatë Lungomares, apo kishin mbushur plazhet përgjatë saj. Ndërkohë, një tjetër dimension, e pasuroi edhe më tej këtë manifestim. Regatës ju bashkangjit një nismë tjetër domethënëse, kursi për të mësuar lundrimin me barkat me vela, për fëmijët e moshës nga 8 në 12 vjeç.
Lidhja Detare Italiane e Brindizit do të zhvillojë për 6 ditë rresht, një kurs falas për fëmijët e kësaj moshe, si një mënyrë për të promovuar dhe nxitur përhapjen e këtij sporti detar mes të rinjve të qytetit të Vlorës, duke futur kështu një kulturë të re, si pjesë e një të ardhmeje ndryshe në turizmin lokal.
Barkat me vela, që mbushën gjirin detar të Vlorës, duke e pasuruar atë me një dekor dhe atmosferë festive, u shoqëruan edhe me aktivitete të tjera kulturore. Mes tyre, spikati koncerti i sopranos së njohur, Ramona Tullumani dhe baritonit, Solen Alla, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj, që u ndoq nga dhjetra artdashës, në sallën e eventeve të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë.
Ndërkohë, në sheshin e Lungomares, qindra qytetarë vlonjatë, ndoqën koncertin e grupit të njohur nga Puglia, RIONE JUNNO, që mbylli edhe aktivitetet e planifikuara gjatë tre ditëve.
Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Micheli, e cilësoi “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, dëshmi të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe bashkëpunimit me Bashkinë Vlorë. “Mes Italisë dhe Shqipërisë, nuk ka një det, por një autostradë bashkëpunimi dhe miqësie”, u shpreh ajo.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, që falënderoi organizatorët dhe protagonistët e këtij manifestimi, evidentoi dimensionet e aktivitetit, si dëshmi e forcimit të bashkëpunimit dhe miqësisë, ndërkohë që, e vuri theksin tek risitë që sjell çelja e një shkolle për mësimin e sportit të velave dhe mundësitë që krijohen për të ardhmen, për këtë sport, për të zhvilluar regata në kahjen e kundërt, në atë Vlorë-Brindisi.
Duke falenderuar miqtë nga Italia për kurset falas të ofruara për fëmijët e qytetit në sportin e velave, Leli nënvizoi se, Vlora turistike e 4 vjeçarit të ardhshëm, do të ofrojë për herë të parë turizëm elitar për një kategori të caktuar, varkat me vela. “Një shkollë e veçantë do të ofrojë për gjithë shqiptarët dhe vendet e rajonit, shërbime të certifikuara në det për varkat me vela”, u shpreh kryebashkiaku vlonjat, në përfundim të edicionit të dytë të garës së barkave me vela, që u zhvillua në gjirin detar të Vlorës, si pjesë e “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë” dhe duke prezantuar kështu një nga projektet e tij të këtij mandati.
Ai vuri në dukje kontributin e Konsulles së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, Luana Micheli, të cilën e cilëson një mike të madhe të Vlorës dhe të Shqipërisë.
Manifestimi kulturor-sportiv, “Regata del Grande Salento Brindisi-Vlorë”, u përshëndet edhe nga Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, i cili e vuri theksin tek domosdoshmëria e hartimit dhe zbatimit në të ardhmen të politikave dhe një strategjie të re për të zhvilluar ekonominë e detit.
Në mjediset e hotel “Vlora International”, u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve të këtij manifestimi dhe gare sportive, që përcolli edhe mesazhin e mbrojtjes së mjedisit ujor detar, si një pasuri e çmuar./atsh