Nga Vlora, ku ishte i pranishëm për të ndjekur garën me vela, që u zhvillua sot nga porti i Vlorës drejt portit të Orikumit, ministri Klosi dha lajmin se për herë të parë në Shqipëri do të hapet shkolla e velave për të edukuar brezat e rinj, që ta duan dhe t’i shërbejnë detit.
“Në kuadër të një politike të re që po ndërtojmë për të zhvilluar ekonominë e detit dhe një strategjie të re që kemi me kryetarët e bashkive për të ofruar detin si potencial të madh turistik, sot është një ditë shumë e bukur, sepse kanë ardhur 24 varka me vela për të bërë garë nga porti i Vlorës drejt portit të Orikumit. Kjo është pjesë e atraksionit turistik, por më shumë se kaq sot do të fillojë për herë të parë shkolla e velave për fëmijët, për të edukuar një brez i cili do të jetojë me detin. Për ne si ministri strategjia e re e ekonomisë së detit do të jetë një nga prioritetet e punës sonë dhe le ta fillojmë këtu në Vlorë, në qytetin më portual të vendit dhe që ka një jetë kaq shumë të lidhur me detin”, tha ministri Klosi.
Për të nxitur këtë iniciativë të re, sipas ministrit duhet të kemi politika të reja fiskale për sa i përket afrimit të porteve dhe marinave shqiptare për investime dhe po ashtu për shfrytëzim nga barkat e ndryshme. “Me konsullatën italiane kemi punuar që kjo të jetë pjesë edhe e Cooperazionit italian për të na dhënë mbështetje në marrjen e leksioneve për zhvillimin e turizmit në det, nga industritë më të zhvilluara në Itali. Prandaj duam shumë që strategjia jonë e re, ekonomia e detit të marrë sa më shumë impulse nga kjo jetë e përditshme që zhvillohet edhe sot në qytetin e Vlorës”, tha ministri Klosi.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli tha se në këtë edicion të dytë, Regata vjen me një itinerar të plotë dhe me risi. “Risia e të ofruarit brezit të ardhshëm kursin e varkave me vela, duke ju mundësuar fëmijëve të përzgjedhur nga faqja e bashkisë Vlorë, 9-12 vjeç kursin e varkave me vela dhe fillimin e një dashurie dhe raporti me detin duke mundësuar me tepër kapacitete turistike në Vlorën e së ardhmes”, tha kryebashkiaku Leli./atsh