Në mbështetje të mësimit të gjuhës shqipe si një prej faktorëve më të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kulturor, Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimin e Ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë për “Organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në Diasporë”.
Sipas këtij vendimi kanë të drejtë të ndjekin mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në vendet pritëse të Diasporës shqiptare fëmijët e moshës deri në 18 vjeç me kombësi shqiptare, si dhe çdo person me origjinë shqiptare që jeton në vendin pritës, pavarësisht statusit të tij, me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm, azilkërkues, të strehuar të përkohshëm apo persona pa shtetësi.
Procesi mësimor dhe përzgjedhja e arsimtarëve në diasporë mbështetet nga ministria
përgjegjëse për arsimin në zbatim të marrëveshjeve dypalëshe shtetërore dhe në përputhje
me legjislacionin e vendit pritës të diasporës shqiptare. Ky proces realizohet në
bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për diasporën dhe ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.
Mësimi i gjuhës shqipe do të zhvillohet në përputhje me kurrikulën e përbashkët sipas marrëveshjes midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si dhe Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.
Kërkesa për tekste shkollore, materiale plotësuese dhe sasia e tyre mblidhet nga përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë në vendet pritëse të Diasporës shqiptare, kërkesat nëpërmjet ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme i dërgohen Qendrës së Botimeve për Diasporën, ministrit të Shtetit për Diasporën dhe për dijeni ministrisë përgjegjëse për arsimin.
Ndërkaq, Qendra e Botimeve për Diasporën dërgon në ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme sasinë e teksteve dhe materialeve plotësuese, brenda muajit gusht të çdo viti, për t’i shpërndarë sipas kërkesave në vendet pritëse të diasporës shqiptare.atsh