Loading...

Reforma në Drejtësi, Calavera: Duam të shohim zbatimin e ligjeve, njerëz që shkojnë në burg

Shefja e misionit të ONM-së në Tiranë, Genoveva Calavera nga Samiti i Poznanit në Poloni tha se Reforma në Drejtësi është në drejtimin e duhur dhe ka sjellë ndryshim dramatik. Sipas saj, me procesin e nisur, vendi do të ketë një gjyqësor të pavarur.

“Ne duam të shohim që ligjet të zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe ne duam të kemi mjaftueshëm fakte/prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar. Vetëm mund të shpresoj që në Shqipëri, kur sistemi po tronditet, të gjithë politikanët ta kuptojnë vlerën e që ka respektimi dhe mbështetja e kësaj reforme”, tha ajo në Samitin e Poznanit në Poloni.

Calavera e vuri theksin se Reforma në Drejtësi po ecën në drejtimin e duhur.

“Kjo ka për të qenë thelbësore: të keni një shtet ligjor funksional, të keni një sistem gjyqësor të pavarur. Nuk është më një çështje e negociueshme. Jam shumë e lumtur që për shkak të popullit shqiptar dhe jo për shkak të politikanëve, për shkak të qytetarëve, ky ndryshim dramatik ka nisur në Shqipëri. Sepse kjo do të thotë që me këtë proces, që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur, ne do të kemi një gjyqësor të pavarur”, theksoi ajo.

“Çdo vend duhet të gjejë mënyrën për të reformuar gjyqësorin. Nuk është e thënë që të jetë kaq dramatike sa e Shqipërisë, sepse problematika nuk është e njëjtë për çdo vend, por ju duhet të gjeni një mënyrë për të bërë reformën”, u shpreh Calavera në Samitin e Poznanit, ku marrin pjesë ministrat e Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministrat e shteteve anëtare të BE-së mbështetëse të Procesit të Berlinit. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com