Loading...

Vlorë – Rritet me rreth 35% numri i vizitorëve në monumente dhe parqe arkeologjike

Monumentet e kulturës dhe parqet arkeologjike në Vlorë kanë zgjuar interesin e turistëve të huaj dhe vendas gjatë sezonit turistik të këtij viti.

Në raport me vitet paraardhëse dhe kryesisht me vitin 2018 shihet qartë që këto monumente dhe parqe arkeologjike që administrohen nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, kanë patur një numër më të madh vizitorësh.

Sipas DRKK Vlorë, është rritur me rreth 35% numri i vizitorëve për periudhën janar – qershor 2018/2019.

Vizitorët kanë shfaqur interes për 8 objektet e vizitueshme me biletë nën juridiksionin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Vlorë si Kalaja e Porto Palermos, Kalaja e Kaninës, Kalaja e Himarës, Kisha e manastirit të Shën Kollit Mesopotam, Manastiri i 40 shenjtorëve , Parku Amantia, Parku i Orikut dhe i Finiqit.

Vlora është e vendosur në një pozicion mjaft të përshtatshëm në qendër të gjirit me të njëjtin emër. Një numër i madh sitesh arkeologjike dhe monumentesh përfaqësojnë periudhat e ndryshme të historisë së Vlorës. Qyteti bregdetar përmendet pothuajse në të gjithë itineraret e kohës perandorake romake, si dhe një skenë e përshtatshme për ata që vinin nga Hydrunti (Otranto) apo Brindisi, por në radhë të parë si stacion në rrugën nga Apolonia për në Butrint, ku sipas burimeve historike në antikitetin e vonë u kthye në qendër peshkopale dhe njëkohësisht ishte një nga tetë qendrat më të rëndësishme të provincës së Epirit të Ri.

Trashëgimia kulturore e historia e jashtëzakonshme, së bashku me peizazhin e mrekullueshëm të gjirit të Vlorës dhe një sërë monumentesh natyrore përreth tij e kthejnë këtë qytet në një atraksion të pakrahasueshëm turistik./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com