Loading...

“Ura e frëngut” në Vlorë gati projekti për restaurimin

Monumenteve të kulturës po i kushtohet gjithnjë e më shumë një vëmendje e veçantë.

Ditët e fundit Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për “ndërhyrje restauruese në Urën e Frëngut” në Gjorm, Vlorë.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve parashikon ndërhyrje restauruese dhe konservuese në elementët konstruktivë të objektit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

Në ditët e para të qershorit specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë kryer një inspektim në Urën e Frëngut, në fshatin Gjorm, Vlorë.

Gjatë inspektimit u bë kontrolli teknik i monumentit dhe evidentimi i problematikave. Nga inspektimi u konstatua se gjendja strukturore e urës ishte përgjithësisht e mirë, me përjashtim të dëmtimeve sipërfaqësore të kalldrëmit dhe dëmtime të fugave në qemerë.

Ura e Frëngut ndodhet afër fshatit Gjormë dhe ka shërbyer për qarkullimin dhe komunikimin e banorëve të fshatrave, që ndodhen në bregun e majtë të lumit Shushicë.
Ajo është urë e tipit me dopjo qemer me harkun në formë lundre dhe me dy dritare shkarkuese. Arkitektura e urës i është përshtatur terrenit shkëmbor ku është ndërtuar, duke u harmonizuar me peizazhin natyror.

Muratura e saj është e ndërtuar me gur kave të lidhur me llaç gëlqere. Në vitin 2015 kjo urë i është nënshtruar një ndërhyrjeje restauruese nga DRKK Vlorë./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com