Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka bërë thirrje për qetësi ditën e dielë, 30 qershorin e zgjedhjeve vendore, ku shqiptarët votojnë për të zgjedhur 61 kryebashkiakët e rinj.
“Të dashur qytetarë, përsëris thirrjen time për të respektuar në mënyrë civile dhe demokratike vendimin e gjithësecilit gjatë ditës së nesërme. Sërish ju ftoj të gjithëve të silleni me qetësi dhe mençuri! Është shumë e rëndësishme vetëpërmbajtja e gjithsecilit!”, citohet Presidenti Meta.
Ai thekson në mesazhin e tij edhe një herë, “rëndësinë e jashtëzakonshme që ka nesër ruajtja e paqes sociale”.
“Të gjithë duhet t’i shërbejmë asaj dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë. Shmangni provokimet që mund t’ju çojnë drejt dhunës, në mënyrë që dallimet politike të mos cenojnë bashkëjetesën qytetare në çdo familje, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet dhe në të gjithë shoqërinë tonë”, – thekson Presidenti në mesazhin e tij. /atsh