Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka theksuar se, 30 qershori do jetë hapi fatal për rrëzimin e Ramës.
Në konferencë për shtyp, Basha tha se e keqja mposhtet me bashkim dhe qëndresë. “Ajo luftohet me këmbëngulje. Luftohet me kurajë. Largohet përditë. Këtë ka bërë Partia Demokratike dhe unë, personalisht, çdo ditë, për gjashtë vjet rresht”, – tha Basha.
“Në rrugëtimin tonë në opozitë prej 6 vitesh, ne kemi bërë gabimet tona. Ka shumë gjëra që sot do të doja t’i kishim bërë ndryshe, por ka diçka që është e padiskutueshme: Përkushtimi ynë ndaj kauzës dhe interesit publik, kurajo dhe këmbëngulja jonë përkundër çdo vështirësie. Udhëtimi ynë nuk ka qënë i lehtë, ka qënë i vështirë. Nëse ka patur ndonjë periudhë që e ka treguar këtë gjë janë 6 muajt e fundit. Vendimi për të djegur mandatet Ka qenë vendim shumë i vështirë dhe përgjegjësi e madhe”, tha ai.
Basha u kërkoi qytetarëve që “Të respektojmë gjithë mundin dhe sakrificat e çdo shqiptari gjatë këtyre 6 vjetëve – të çdokujt që ka ngritur zërin, të çdokujt që ka protestuar, që ka denoncuar, që ka kritikuar, që është distancuar nga ky regjim. Së dyti, duhet të jemi plot besim. Ne sot jemi shumica, më të bashkuar se kurrë gjatë këtyre 6 vjetëve, më të qartë se kurrë gjatë këtye 6 vjetëve, me një qëllim të drejtë dhe një kauzë të madhe”.
Ndaj ju ftoj të gjithëve që të mos biem pre e provokimeve të Edi Ramës. Mbi të gjitha, le të jemi bashkë më 30 qershor, duke ngritur zërin si qytetarë të denjë europianë”, tha ai./atsh