Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi vendimin e tij për të emëruar Yuri Kim of Guam në pozicionin e rëndësishëm të administratës së tij si ambasadore të Jashtëzakonshme dhe të Plotëfuqishme në Republikën e Shqipërisë, njofton Shtëpia e Bardhë në faqen e saj në internet.
Kim është një diplomate karriere pranë Shërbimit të Jashtëm Amerikan, me gradën Konsull dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si drejtoreshë e Zyrës për Çështjet të Europës Jugore.
Ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës për Studime në Diplomaci në Departamentin e Shtetit, kryetare e stafit për zëvendëssekretarin e Shtetit dhe drejtoreshë e Zyrës për Sigurinë Europiane dhe Çështjet Politiko-Ushtarake.
Gjithashtu, ajo ka shërbyer si asistente speciale për ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet në Azinë Lindore dhe Paqësor, si dhe ka qenë anëtare e delegacionit të SHBA-së në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Ajo gjithashtu ka shërbyer si këshilltare politike në Ambasadën e SHBA-së në Bagdad, Irak si dhe në ambasadën e SHBA-së në Ankara, Turqi.
Kim është shkolluar në Universitetin e Pensilvanisë dhe atë të Kembrixhit.
Ajo flet gjuhët koreane, kineze (mandarin), japoneze dhe turke. /atsh