Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se opozita nuk do të mundet të pengojë dot hapjen e negociatave dhe drejtësinë.
Duke folur në takimin elektoral në Himarë, Rama tha se “këta mund ta kenë dëmtuar Shqipërinë sot për sot, përkohësisht, për të marrë në tetor negociatat për anëtarësim. Por nuk e ndalojnë dot. S’kanë shans ta ndalojnë dot”.
“Shqipëria do të ulet në tavolinë me BE dhe Shqipëria do hapë bisedimet. Dhe bisedimet fillojnë me drejtësinë. Dhe BE do t’i thotë Shqipërisë OK keni bërë reformën në drejtësi bravo, po bën vetingun bravo. Tani na trego pak funksionon sistemi i drejtësisë i barabartë për të gjithë. Ju që doni të hyni në familjen tonë. Në familjen tonë drejtësia është e barabartë për të gjithë. Drejtësia në Francë nuk pyet a je President a s’je President? Presidentët në Francë kanë qenë dhe janë në hetim dhe i nënshtrohen drejtësisë. Drejtësia nuk pyet në Itali a je kryeministër, a s’je kryeministër? Shkon atje dhe i nënshtrohesh drejtësisë. Drejtësia nuk pyet në asnjë nga vendet e BE dhe do duhet që Shqipëria të provojë që nëse do të bëhet vend i BE ka një drejtësi ku i gjati nuk e sheh do nga lart poshtë drejtësinë. I shkurtri nuk i fshihet do drejtësisë. I forti përpara drejtësisë është njësoj si i dobëti. Zyrtari i lartë përpara drejtësisë s’ka asgjë më shumë sesa njeriu i zakonshëm”, tha Rama.
Kjo, u shpreh Kryeministri, “është lufta jonë historike dhe ky është ai tërmeti që e kemi paralajmëruar që ditën e parë kur ne PS nisi këtë reformë dhe të gjithë ishin kundër. Që nga baba Xhikja tek Saliu, tek Xhuljeta, tek fallxhorja, tek të gjithë me radhë, kundër. Dhe u detyruan të vijnë të votojnë atje ndryshimet kushtetuese, kur ua futën partnerët të 4 këmbët në një këpucë. Votim i paharrueshëm. Gjithë ata burra atje. Kokën poshtë kartonin jeshil lart. Ja këta janë”.
Kjo, theksoi Rama, “është historikja e qeverisjes sonë, drejtësia. Përpjekja për të bërë shtet. Nuk bëhet shteti për një vit as për 5 vjet. Shtetet që ne shohim kur kalojmë detin janë bërë me qindra vjet. Procesi ynë do marrë shumë më pak kohë se sot jemi në mes të Europës dhe nuk kemi nevojë të shpikim. Mjafton të mësojmë dhe të adoptojmë atë që të tjerët e kanë bërë para nesh”.
“Dhe atyre që thonë, hë mo kjo reforma në drejtësi. E di unë shumë mirë. Ju ka ardhur në majë të hundës me ato karnavale dhe duan drejtësi. Në 30 qershor të shkojnë dhe ua zhysin votën siç e meritojnë ata. Dhe të jenë të sigurt që drejtësia, e ka thënë populli mund të vonojë, por nuk harron. Ndërkohë që drejtësia që ka vonuar për 30 vjet tani duhesh kujtuar dhe po vjen hap pas hapi. Do i shikoni. Hap pas hapi. Nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë. Jo të djegin KZAZ-të. Jo të bëjnë provokime e të flasin me dy standarde. Që të dalin të mbajnë ato fjalimet absurde që ne nuk e njohim 30 qershorin, po ne do rezistojmë. Po Edi Rama është plagosur për vdekje, po ne nuk duam konflikt. Këto lloj fjalimesh të një stili mafioz, me kode mund të vazhdojnë t’i mbajnë, por unë nuk e kam me ta. Ata e kanë marrë rrugën e tyre. Ata do të bien të gjithë në gropën që i hapën Shqipërisë. Donin ta fusnin Shqipërinë në gropë për të marrë peng zgjedhjet për të krijuar kaos. Duke shpërndarë nëpër botë fotografitë e shëmtisë së tyre që organizonin atje në Bulevard me punonjësit e bashkive sikur të ishte një revolucion me djegie. Duke bërë që njerëzit që mezi e kanë pritur këtu sezonin turistik të fitojnë më pak këtë vit për shkak të atyre”, tha Rama.
Unë, theksoi Rama, “e kam pikërisht me këta njerëz, e kam me demokratin më ekstremistë të Himarës, nuk e di kush është fare. Që nuk ushqehet nga SHQUP-i. Nuk ha përsheshin e Lulit siç e hanë ata që i kanë veshët si parafango. I keni parë si i kanë veshët. E keni parë atë Salianjin, sikur ka tre kokë. Një kokë edhe. E kam me demokratët që hapin dyqanin këtu. Hap dyqanin në mëngjes. Me demokratët që kanë hapur shtëpitë dhe i vijnë ato e-mailet që na falni po për arsye të situatës ne duhet të anulojmë rezervimin. Çfarë i thoni gruas ju demokratët ekstremistë kur shkoni në darkë në shtëpi dhe ju thotë ajo shiko se sikur nuk po vijnë aq sa duhet të vinin. Si i thoni ju gruas? Mi ka marrë lekët Luli. Apo ja kam falur lekët revolucionit. Si i thoni ju?”
“Është shumë e thjesht. Vajtja mbas berihajt. Rama ik e Rama ik dhe unë mbeta duke ikur. Dje isha në Fier. Sot erdha këtu.Do iki në Vlorë. Këtë punë kam. Po këta që shkojnë si mbas berihait. Hajdeni të shtunën se do e rrëzojmë. Pastaj më rrëzojnë këndojnë dhe himnin, fitore, fitore, fituam, fituam. Ra, ra, ra. Iku, iku, iku. Vjen e hëna ou. Mblidhen ta rrëzojmë prapë. Pastaj pasi nuk rrëzohet prapë. Thonë po sikur të mblidhemi në darke se mbase e ka fajin orari. Keni parë ju njerëz që mblidhen natën për të bërë rrëzime qeverish ja këta janë”, u shpreh Rama.
Duke folur për presidentin Meta, Rama tha se, “ai i 5-s së mëngjesit nuk u zgjua për të dalë në zyrë, ai nuk ka fjetur fare. Kur nuk fle në 5, ha paçe me Fahri Balliun. U bë Presidenca si ajo pica telefon 24 orë. Pres në 5 të mëngjesit thotë se jam i shqetësuar për kombin. Ha paçe Ilir me Fahriun. Kafen turke merre kokërr këto ditë, deri të dielën se iku kjo punë. 30 qershori është aty, është i popullit, jo i partive. Partitë kanë detyrë të dalin para popullit kur duan të zgjidhen. Populli zgjedh. Nuk ka këtu ta kthejmë botën përmbys që partitë të zgjedhin popullin. As që partitë vendosin se kur do ti zgjedhë populli”./atsh