Loading...

Te gropa që duan të fundosin Shqipërinë, do të bien vetë një nga një

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi elektoral në Fier, u shpreh se, opozita do rrëzohet vetë te gropa që ka hapur për të rrëzuar Shqipërinë.

“Lajmi i mirë është që filxhani plasi dhe ofensiva dështoi. Lajmi i mirë është që gropa që kanë bërë thuajse gati për të fundosur Shqipërinë, është gropa ku do të bien vetë një nga një”, – tha Rama.

“Ne ndahemi sa të doni tek shumë gjëra, që na bëjnë ne socialistë e ata demokratë. Por, ne nuk mund të ndahemi kurrë me shqiptarët dhe shqiptarët s’duhet të ndahen kurrë me ne për drejtësinë e drejtë”, – tha Rama.

“Unë e thashë se çmenduria e parë do pasonte të dytën. U bë 13 tetor. Thashë 21, po 21 del e hënë, ndërhyri dhe fallxhorja dhe u bë 13. Në fakt kjo është e dhimbshme, por me këta karagjozë ne duhet edhe të qeshim, sepse historia e këtij karagjozllëku do mbahet mend gjatë, ndërsa është vërtetë e dhimbshme, pasi përmes kësaj u bë nami këtu, se do plaste ’97-ta. Por kjo nuk lidhet me zgjedhjet. Zgjedhjet janë pengu, për të marrë peng Shqipërinë, për të mos lejuar Shqipërinë për të marrë negociatat me BE”, – tha Rama.

“Haxhiu i parë i kishte tmerr Perëndimorët, Haxhiu i dytë, ka tmerr OMN. Njësoj janë dhe në këtë pikë. Pse e gjitha kjo? Si ka mundësi që e gjithë kjo valë protestash u shoqërua me një furi balte mbi fytyrën e Shqipërisë jashtë kufijve?” – tha Rama.

“Si ka mundësi që këta gëzoheshin, kur fotografitë me molotovë, të atyre protestave të popullit imagjinar të bashkive, të një partie rrugëhumbur, me disa të rinj po rrugëhumbur, të paguar për t’i vënë zjarrin godinave, për të treguar se do bëhej nami, dilnin jashtë vendit. Jo për të më larguar mua, se e dinin mirë, si Saliu, si Meta, si fallxhorja, ashtu edhe Xhuljeta, se qeveria nuk ikën me protesta. Një qeveri e zgjedhur që ka shumicën në parlament, nuk hidhet me protesta. Le të marrin buldozer e të shkatërrojnë godinat, apo t’i hedhin në erë, nuk ikën qeveria”, – tha Rama.

“Ata s’e kanë me qeverinë dhe kokën time. Këto i përdorin për ata rrugëhumburit e tjerë që do sjellin në bulevard. Hajdeni sot se do e rrëzojmë, hajdeni të shtunën se do e rrëzojmë, dhe pasi këndohej himni, të nesërmen vijonte jeta normalisht. Këto thirrje u realizonin me tendencën për t’i thënë atyre jashtë, që duan të ulen për të hapur negociatat me ne, se si mund të uleni në tryezë me këtë vend që është rrëmujë, me narkoshtetin”.

“Miqtë tanë me të drejtë mund të dekurajohen me skena të tilla, ku askund në historinë e demokracive europiane, si askund dhe në Ballkan, ikën opozita nga parlamenti dhe marrin molotovin, çmenden komplet. Ato që kanë pikëpamje tjetër për Europën fërkojnë duart nga këto skena”, – tha Rama.

“Këta karagjozë janë të gatshëm të provojnë gjithë marrëzitë e tyre dhe po i bëjnë Shqipërisë atë që armiqtë tanë nuk ia kanë bërë. Pse e kanë tmerr momentin e uljes në tryezë e BE? Sepse ulja është njësoj sikur të dërgosh fjalë për të kërkuar dorën për martesë, dhe ajo familja e madhe thotë hajde na provoni se jeni të besueshëm për t’u bërë pjesë e jona, na tregoni se jeni besnikë ndaj vlerave dhe parimeve tona. Na tregoni se jeni si ne, që kjo ka sukses për të dyja palët. Dhe këtu është lepuri që fle, ose më saktë rri zgjuar në barkun e katër aventurierëve”, – nënvizoi Rama.

“Ato s’të thonë më bëj Vetingun, por thonë më provo, ti Shqipëria, se ti ke një sistem drejtësie që sado i gjatë apo i shkurtër të jesh, nëse ke probleme për t’iu përgjigjur drejtësisë, duhet të dalësh përpara drejtësisë. Sado i fortë të jesh, nuk i shmangesh dot drejtësisë qoftë president, kryeministër, ish-president, ish-kryeministër apo ish-ministër qofsh. Nëse Shqipëria e provon këtë, atëherë është e gatshme për hapin e radhës”, – tha Rama.

“Pra, rritet presioni ndaj sistemit të drejtësisë dhe ja kjo është pika që lidh Partinë Socialiste me interesat e mëdha të vendit dhe këtë e kam me demokratët. Cila parti nuk është lëkundur në asnjë hap për Reformën në Drejtësi? Kërkoni sa të doni, por vetëm Partia Socialiste do t’ju dalë”, – tha Rama.

“Një demokrati që në mëngjes hap dyqanin, sipërmarrjen, punon arën, pyetja që i bëj unë është, ti je njeri i zakonshëm që shikon se si partia jote është armikja e Reformës në Drejtësi, PD që lindi si shpresa jote e madhe, që i fale zemrën e mendjen, mbështetjen e votat, është katandisur sot, si grupet komuniste që nuk e kishin marrë vesh se kishte rënë regjimi dhe i dilnin në shtigje dallgës popullore, sepse janë kundër teje, janë kundër që këtu të ketë një drejtësi të barabartë për të gjithë”, – tha Rama.

“Sot kjo PD, që merr peng njerëzit e zakonshëm, duke futur ankthin e sëkëlldinë, i godet drejtpërdrejtë pjesën më të rëndësishme ekonomike të vitit, kjo opozitë arrin në pikën që të pretendojë që zgjedhjet nuk u bëkan në momentin që kush hidhet përpjetë dhe çmendet kërkon të mos bëhen zgjedhjet. Që po ta pranonim këtë, s’do kishim zgjedhje kurrë”, – tha Rama.

“Kjo është fatura që ne duhet të përballojmë, kjo është dhimbja që duhet të kapërcejmë, se kemi marrë përsipër të tronditim themelet e një sistemi, pasi kemi marrë përsipër të bëjmë një shtet për të gjithë. Prandaj është e rëndësishme që më 30 qershor edhe pse nuk e do Subashin dhe s’ke kë të votosh, pasi nuk ta sollën Dacin, ti duhet të shkosh të votosh e t’i vësh vizën Armandos (Subashit), ama, konfirmo që Shqipëria është e jotja, nuk është e katër aventurierëve, që janë tallur me ty duke thënë Rama ik ik ik, se unë do iki në Vlorë”, – tha Rama.

Në fund, Rama tha se opozita që bërtet ka frikë dhe do tretet nga frika që ka. “Ata bërtasin shumë, kërcënojnë shumë. Janë të parët në histori që vinin në parlament, jo për të folur, po për të gjuajtur, të parët në histori që kur futeshin në parlament udhëheqjen e kishin ato pa tru, por që tregonin krahët”.

“E kthyen Kuvendin në një mejhane që gjuanin vezë, shishe uji, merr letrat e hidhi përpjetë e vër ulërimën. E mbani mend kush ishte? Fallxhorja, që del e ngre sytë nga Zoti. O Zot, shpëtoi shqiptarët nga shitblerja e votës. O vdeksha unë për ty, sikur Zoti të merrej me fushatë elektorale, Zoti do ta fuste në shtëpi të mos shikonte asnjë zgjedhës. Ata kanë frikë, kanë shumë frikë. E keni parë filmin “Beni ecën vetë”, që Beni vogël flet me zë të lartë, jo për të trembur ujkun, por për të trembur frikën e vet. Nga frika e tyre do treten”, – përfundoi Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com