Ambasada Amerikane në Tiranë, Ambasada Britanike, Ambasada Italiane i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare kryetarit të KQZ-së, Klement Zguri për akreditimin e vëzhguesve të tyre për zgjedhjet e 30 qershorit.
Kërkesa e përfaqësive diplomatike të Amerikës, Italisë dhe Britanisë, drejtuar KQZ-së për akreditimin e stafit të tyre vëzhguesve mban datën 26 qershor.
Duke përgëzuar punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mbarëvajtjen deri më tani të këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor, selitë diplomatike në vendin tonë, kanë dërguar edhe listat me emrat e personave vëzhgues.
“Ju lutem më lejoni t’iu dërgoj anëtarët e stafit të Ambasadës për akreditim si vëzhgues dhe përkthyes afatshkurtër për zgjedhjet lokale të 30 qershorit në Shqipëri. Faleminderit për punën që ju dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bëni përpara këtyre zgjedhjeve të rëndësishme”, thuhet në kërkesën zyrtare të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Më herët, konkretisht më datë 19 qershor edhe OSBE, si institucioni i vetëm që merret me cerfifikimin e zgjedhjeve, ka kërkuar nga KQZ akreditimin e vëzhguesve të tyre për zgjedhjet që mbahen më 30 qershor. /atsh