Loading...

Kriza politike, Moisu: Palët të ulen urgjent në dialog

Ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu deklaroi sot se në shtyrjen e hapjes së negociatave ka ndikuar hezitimi i disa vendeve anëtare dhe kriza politike në vend.

Moisiu gjithashtu kërkoi një pakt kombëtar dhe një zgjidhje për situatën në interes të Shqipërisë e jo në kurriz të saj.

Ai doli sot para medieve së bashku me disa intelektualë, përfaqësues të medies, shoqërisë civile dhe biznesit, ku deklaroi se kriza po përkeqësohet dhe se duhet një zgjidhje afatgjatë për të mos u përsëritur.

Sipas tij, janë të patolerueshme nxitja e urrejtjes mes shqiptarëve për interesa partiake; veprimet e dhunshme ndaj institucioneve; përdorimi i shprehjeve luftënxitëse e përçarëse; retorika denigruese ndaj rivalëve dhe ndaj secilës palë politike; mungesa e dialogut.

“Ministrat e Jashtëm të Këshillit të BE vendosën për të shtyrë në muajin tetor vendimin për mundësinë e hapjes së negociatave me Shqipërinë. Hapja e negociatave me BE është prioritet absolut kombëtar për vendin tonë. Në shtyrjen e tyre ka ndikuar hezitimi i disa vendeve anëtare dhe kriza politike në vend. Hapja e negociatave, në vend se të kuptohet si një çështje mes BE dhe vendit, po përdoret si instrument i luftës politike mes shumicës e pakicës. Koha deri në tetor është e shkurtër për të bindur vendet skeptike”, tha Moisiu.

“Punët për t’u kryer nuk janë të pakta. Kriza po përkeqësohet. Është koha për një zgjidhje në interes të Shqipërisë dhe jo në kurriz të saj. Koha për një zgjidhje afatgjatë për të mos u përsëritur krizat ciklike”, theksoi Moisiu.

“Janë të patolerueshme nxitja e urrejtjes mes shqiptarëve për interesa partiake; veprimet e dhunshme ndaj institucioneve; përdorimi i shprehjeve luftënxitëse e përçarëse; retorika denigruese ndaj rivalëve dhe ndaj secilës palë politike; mungesa e dialogut. Këta faktorë kanë çuar në cenim të sigurisë së qytetarëve, dëmtojnë demokracinë e brishtë shqiptare, po cenojnë imazhin e Shqipërisë në botë. Veprime që bien ndesh me dëshirat e popullit për integrimin europian”, deklaroi Moisiu./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com