Loading...

Hyseni: Vazhdojmë procedurat për shkarkimin e Presidentit, ka shkelur Kushtetutën

“Presidenti po e përkeqëson krizën duke i hedhur benzinë zjarrit, ndaj dorëheqja e tij mendoj se do ta ndihmonte zgjidhjen e krizës që nuk është institucionale, por është krizë politike e opozitës”, deklaroi sot deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni.

I ftuar në një studio televizive, Hyseni siguroi se “ndërkohë Kuvendi do të vazhdojë me procedurat për shkarkimin e Presidentit”.

“Procesi vazhdon edhe nëse Presidenti mund të vinte në komision ose nëse nuk vjen fare, komisioni do të diskutojë dhe do të dalë me një raport që do t’i paraqitet Kuvendit. Kuvendi do të vendosë pastaj. Në pritje të krijimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi do të vazhdojë me procedurën e tij dhe do të marri vendimin. Ne kemi një rezolutë të miratuar nga 100 deputetë që evidentoi se ka shkelje të Kushtetutës, ndaj besoj se shumë shpejt do të kemi vendimmarje të Kuvendit”, tha Hyseni.

Sipas tij, “kush shkel Kushtetutën nuk mund të justifikohet me faktin se unë po jap dorëheqjen”.

Hyseni tha se “maxhoranca, në përputhje me votën e popullit vazhdon qeverisjen e vendit dhe do të çojë reformat para”.

Sipas tij “në zgjedhjet e 30 qershorit ka edhe subjekte të tjera zgjedhore që kanë paraqitur kandidatë”.

“Në shumicën e zonave ka kandidatë. Janë mbi 30 subjekte politike që konkurojnë me lista këshilltarësh dhe në shumë bashki konkurohet me subjekte dhe persona të pavarur për kryetar bashkie. Ky është pluralizimi dhe demokracia. Demokracia është të të jepet mundësia dhe t’i ke të drejtën ta ushtrosh”, tha Hyseni.

Hyseni tha se “ne do të donim t’i kishim në garë, sepse kështu do të dilte edhe më tepër në dukej puna jonë, por ajo është zgjedhja e tyre”.

Deputeti socialist shprehu bindjen se “PS do të ketë një rezultat edhe më të lartë se sa në zgjedhjet e kaluara”.

Sipas tij “votat i mbron shteti shqiptar dhe kush ka ndërmend të prekë votën nuk ka punë me PS-në, por me ligjin”. “PS ka detyrën të bëjë proces zgjedhor model sa i takon komisionerëve të cilët do të jenë super korrekt me ligjin. Ata që cënojnë zgjedhjet do të kenë penalitete ligjore deri në 7 vite burg siç parashikohet edhe në Kodin Penal”, tha ai.

Hyseni tha se maxhoranca është e hapur për dialog në çdo kohë në respekt të Kushtetutës dhe ligjit. Opozita jashtëparlamentare, sipas tij, do të pengojë integrimin e vendit sepse tmerrohet nga Reforma në Drejtësi, për të cilën ka bërë çdo gjë që ta bllokojë”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com