Kryeministri Edi Rama tha sot nga takimi elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit në Gjirokastër se askush nuk mund të frenojë ndryshimin dhe rrugën e vendit drejt BE-së.
Duke marrë shkas nga daljet e mbështetësve të PD-së në rrugë, Rama solli në vëmendje kohën e themelimit të PD-së dhe PS-së, kur shqiptarët, siç tha ai e përqafuan me shumë pasion ndryshimin e disa humbameno përpiqeshin ta frenonin.
“Të kujtojnë kohën kur u krijua PD e PS, kur populli shqiptar e përqafoi me shumë pasion ndryshimin. Aq sa arritën ata humbameno atëherë të frenonin ndryshimin, e aq sa arritën të mbahen mend ata, aq edhe do e frenojnë këta. E katandisën PD si kokoshi një thelë dhe e lanë rrugëve duke ikur nga zgjedhjet”, – tha Rama.
“U shndërrua nga një parti politike, në një organizatë të dhunshme që kërcënon popullin, që kërcënon se do marrë peng shtetin dhe bën çmos për të hedhur në erë urën që mezi u ndërtua, edhe për të cilën kanë kontribuar edhe ata vetë, për të arritur në pragun e derës së BE, për ta ulur Shqipërinë në tryezën e bisedimeve të anëtarësimit. Një parti e krijuar nga ëndrrat e shpresat e një populli të tërë dhe që po mbytet në filxhanin e fallxhores, më keq sesa të mbyteshin në një gotë uji”, – tha Rama. /atsh