Loading...

Vaji i ullirit “Made in Albania”, rritje e eksporteve në disa vende të botës

Shqipëria po zgjeron sipërfaqet e mbjella me ullinj ndërsa prodhimi i vajit të ullirit “Made in Albania” po njeh rritje nga viti në vit.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në vitin 2018 u prodhuan 117 mijë e 573 tonë ullinj, duke shënuar një rritje prej 9,04%, krahasuar me një vit më parë.

Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Beratit me 37 mijë e 340 tonë, pasuar nga qarqet Fier me 31 mijë e 496 tonë dhe Vlorë me 15 mijë e 023 tonë.

Prodhimi vendas i ullinjve, mbulon nevojat e konsumit në tregut vendas dhe një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi kalon në përpunim për vaj ulliri.

Sipas INSTAT, ndaj prodhimit total të ullirit, 79% përfaqësohet nga ullinjtë për vaj dhe 21% nga ullinjtë për tavolinë.

Investimet në industrinë përpunuese të vajit të ullirit, kanë përmirësuar cilësinë e standardet e këtij produkti i cili tashmë është mjaft i kërkuar për eksport edhe në tregjet europiane.

Shqipëria ka rritur eksportin e vajit të ullirit gjatë vitit të kaluar. Nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë rezulton se prodhimi i vajit të ullirit në dy vitet e fundit ka pësuar një rritje me 10 mijë tonë.

Shqipëria e eksporton vajin e ullirit kryesisht në Kosovë dhe Maqedoni, por nuk mbeten pas edhe vende si Kenia, Shtetet e Bashkuara apo Britania.

Kultura e ullinjve në Shqipëri është një traditë shekullore, vlera dhe rëndësia e këtij prodhimi vitet e fundit po mbështetet intensivisht edhe nga qeveria.

1 milion euro është fondi i akorduar këtë vit si grante për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, që mbështet fermerët për shtimin e sipërfaqeve të mbjella me ullinj, për përmirësimin e mekanizimit dhe rritjen e kapaciteteve të prodhimit të vajit të ullirit/atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com