Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se të gjithë ata që kryejnë krime elektorale nuk do të mund të punësohen më në shtet për 20 vite.
Teksa ishte i pranishëm në Konispol për të prezantuar kandidatin e PS në këtë bashki, Shuaip Beqiri, Kryeministri Rama u shpreh se, “le ta lexojnë ligjin e dekriminalizimit që e kemi votuar së bashku me PD. Çdo krim zgjedhor dënohet 10 vjet me mospjesëmarrje në asnjë lloj aktiviteti shtetëror dhe nuk futesh dot në shtet po bëre krim elektoral. 20 vjet do ta bëjmë që të mos ta shohësh më derën e shtetit për gjithë jetën. A ja vlen të humbësh mundësinë që të mos punosh në shtet gjithë jetën duke i shërbyer ëndrrave të filxhanit të Monika Kryemadhit. A ja vlen t’i shërbesh disa aventurierëve që s’duan t’ia dinë fare se çdo ndodhë me Shqipërinë?.
Rama tha se, asnjë grua dhe asnjë vajzë nuk do të humbasë vendin e punës në bashkitë që drejtohen nga demokratët dhe që pas 30 qershorit do të drejtohen nga socialistët
“Unë dua që tu them sot që në të gjitha bashkitë ku drejtojnë demokratët dhe ku në 30 qershor për shkak se demokratët janë larguar, do të hyjnë drejtues socialistë, asnjë grua dhe asnjë vajzë nuk do të lëvizet nga puna. Ndërsa të gjithë ata burra që kanë ngatërruar detyrën me shërbimet qorre, ata po duhet të kenë shumë frikë dhe ata nuk duhet të kenë frikë se do ikin nga puna se duke shkelur ligjin nuk do mund të futen më kurrë në administratën publike”, tha Rama.
Kryeministri tha se opozita nuk ka popullin nga mbrapa, por kanë popullin e punonjësve të bashkive.
“E patë, çdo ditë e shikoni nuk kanë popullin nga mbrapa. Patjetër që ka një pjesë të popullit që nuk e do PS në qeveri. Patjetër që ka një pjesë të popullit që ka shumë rezerva ndaj kësaj qeverie saqë do që kjo qeveri të iki. Por ata nuk janë në rrugë. Ata nuk e duan këtë gjë. Nuk duan të digjet Shqipëria, as për llakun e Lulit as për filxhanin e Monikës. Populli i këtij revolucioni imagjinar është populli i bashkive. Është populli i punonjësve të policive bashkiake. Është populli i disa të rinjve rrugë humbur që vënë maska, marrin para dhe vijnë aty për të sulmuar me molotov. Është populli i asaj kryetares së bashkisë së Shkodrës që thotë e dashuroj molotovin. Ky nuk është populli shqiptar, ky nuk është populli demokrat. Ky është një popull i krijuar, sa nga halli sa nga presionet hajde nisu për Tiranë futu në aventurë se do të heqin nga puna. Ose hajde se do ruash vendin e punës. Nga kush do e ruajnë vendin e punës?”, tha Rama. /atsh