Kryeministri Edi Rama tha sot pasdite nga Shkodra, ku zhvilloi takim elektoral për zgjedhjet e 30 qershorit, se i vinte keq që Voltana Ademi nuk hyri sërish në garë, që ta merrte me votë mësimin e merituar.
“Më vjen shumë keq që nuk na u dha mundësia që drejtuesen më të paaftë që është ulur në karriken e një kryetari bashkie, të majtë a të djathtë, në të gjitha vitet e shtetit shqiptar që nga koha që kur u hap zyra e një bashkie, komiteti ekzekutiv apo komune, t’i jepnim një mësim të merituar me votë në një garë alternativash, kandidatësh dhe ballafaqimi demokratik”, – tha Rama.
“Po kjo nuk është në dorën tonë, nuk e zgjodhëm ne, nuk e pamundësuam ne, nuk ishte as plani e as qëllimi ynë. Ata kapitulluan para fillimit të betejës, nuk hynë në zgjedhje se plani i tyre nuk ka lidhje me Shkodrën, me bashkitë e Shqipërisë, me të ardhmen, por është plani i katër njerëzve në një hall shumë të madh me Drejtësinë që po vjen dhe atyre rreth e rrotull që i ndjekin verbërisht nga pas”, – tha Rama. /atsh