Për herë të parë në Hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës u vunë në funksionim tre pajisje të reja Cibano, Franeo, Tettex gjatë kryerjes së punimeve sipas grafikut të remonteve të Agregatit nr.1 Koman dhe Agregatit nr. 5 Vau i Dejës.
Investimet që po ndërmerr Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, synojnë përmirësimin e vazhdueshëm të furnizimit me energji të abonentëve, veçanërisht tani gjatë sezonit turistik kur shtohet edhe fluksi i përdorimit të energjisë.
Pak ditë më parë edhe zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Bejtja, deklaroi se furnizimi me energji elektrike gjatë sezonit të verës do të garantohet në masën 100%, për të gjithë abonentët familjarë dhe bizneset, pavarësisht situatës së vështirë në sektorin energjetik, si pasojë e thatësirës.
“Viti 2019, mbetet një vit i vështirë për sektorin elektro-energjetik në kushtet e motit pa reshje. Por investimet dhe plani i masave për mirëmenaxhimin e burimeve hidrike në raport me importin e energjisë, do të mundësojë furnizimin normalisht me energji të abonentëve gjatë sezonit veror në të gjithë vendin” – u shpreh Bejtja.
Institucionet parashikojnë të shmangin importet e energjisë gjatë orëve të pikut, duke mbuluar nevojat për energji nga prodhimi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare/atsh