Shëtitorja e bregdetit të Dhërmiut, një prej investimeve të fundit të realizuara në bashkinë e Himarës, e ka transformuar plotësisht plazhin në këtë pjesë të bregdetit të Jugut, një ndër hapësirat më atraktive të turizmit në Shqipëri.
Turistë të huaj, nga vende të ndryshme, si Polonia, Rusia, Çekia, Italia, Gjermani, Franca, Ukraina, Bjellorusia, Maqedonia, shqiptarë nga Kosova, kanë zgjedhur të pushojnë dhe të shijojnë detin e mrekullueshëm të Jonit dhe gjithçka ofron natyra dhe njerëzit, në këtë pjesë të Bregdetit të Jugut të Shqipërisë.
Në orët e mbrëmjes, shëtitorja është plot dhe po ashtu edhe lokalet përgjatë saj.
Ky është tregues i drejtpërdrejtë i këtij projekti, që nisi vitin e kaluar, për t’u shndërruar në një realitet të këndshëm për pushuesit, banorët e zonës dhe operatorët e shumtë turistikë.
Dhërmiu, i shtrirë buzë detit Jon, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta, ka një bukuri madhështore. Dhërmiu gjendet në fund të një plazhi më shumë se pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon në një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tri lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagjja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku – lagjja e dytë dhe Dhërmiu – lagjja e tretë dhe më e madhja, e cila i ka dhënë edhe emrin fshatit.
Fshati i Dhërmiut ndodhet 52 km në jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti, Tirana. Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës që janë zonat emblemë të turizmit shqiptar.atsh