Dielli ka një ”personalitet” të dyfishtë pasi fusha e jashtme magnetike e tij ndjek një ritëm të ndryshëm nga ajo e brendshme, sipas studimit të Universitetit amerikan të Kolorados, i paraqitur në konventën e Shoqatës Astronomike Amerikane që po zhvillohet në SHBA, Saint Louis.
Fizikanët Loren Matilsky dhe Juri Toomre kanë zhvilluar një simulim kompjuterik për të studiuar brendësinë e Diellit, të cilin dy studiuesit e krahasojnë me “një enë sferike me ujë të valuar”.
Ata gjetën, çuditërisht, se ylli ynë ndonjëherë tregon devijime nga sjellja e tij normale, në formën e dallimeve në mes të fushës magnetike të jashtme dhe të brendshme, sikur të kishte një lloj ”egoizmi”.
Për autorët e hulumtimit, ky zbulim mund të ndihmojë në kuptimin e mekanizmave që rregullojnë orën e brendshme diellore. Në fakt, ylli ynë ndryshon periudhat e aktivitetit intensiv, të karakterizuar nga shfaqja e pikave diellore karakteristike, me periudha të qetësisë relative.
“Ne nuk e dimë se çfarë rregullon këtë cikël dhe pse, për shembull, disa cikle janë më të dhunshëm se të tjerët. Ajo që mund të bëjmë është të monitorojmë aktivitetin e Diellit dhe të përpiqemi ta riprodhojmë atë në laborator nëpërmjet superkompjuterave, në një përpjekje për të bërë parashikime rreth sjelljes së tij”, shpjegon fizikani Matilsky./atsh