Kryeministri Edi Rama u kujtoi sot kryebashkiakëve të opozitës se ka kaluar një ligj për dekriminalizimin dhe nëse shkelin ligjin nuk bëhen më gjithë jetën as kryepleq, jo më kryetarë bashkish.
Në një takim elektoral nga Roskoveci, Rama iu drejtua kryebashkiakëve opozitarë që drejtojnë letra për heqjen e KZAZ-ve.
“Sot disa kryetarë bashkish që i gënjeu Luli, bënë shkresa për KZAZ-të. Unë ju them atyre, nuk jua ka fajin PS që nuk hytë në garë. Ne ndjehemi keq që bëhet një garë e çuditshme ku jemi vetëm, por mos u bëni mish për top. Llogarinë kërkojuani atyre që ju lanë rrugëve, lanë rrugëve një parti të tërë dhe e kthyen në një federatë grupesh të çingijeve”, – tha Rama.
Kryeministri tha se “ka ardhur momenti që zullumi i stërzgjatur i tyre të këputet në 30 qershor nga populli”.
Kush kërkon të na kthejë në të shkuarën do të mbetet gjithmonë në të shkuarën, tha Rama, duke shtuar se “ne do të vazhdojmë përpara drejt të ardhmes”.
“Ata u futën në mes të turmës duke thënë jemi popull, por i vunë para dhe i hodhën në zjarr, i përplasën me ligjin dhe tani janë ca të shkretë që duhet të paguajnë në burg. Cili është ai shqiptar që meriton të bëjë burg për Monika Kryemadhin, Ilir Metën dhe Sali Berishën?” – tha Rama.
Kryeministri kujtoi se “kur ne pranuam marrëveshjen dhe u shtynë zgjedhjet me 1 javë, Presidenti i atëhershëm Bujar Nishani ua kërkoi palëve me shkrim miratimin. U desh të vinte Ilir Meta që të na dukej Bujar Nishani si burrë shteti. Meta thotë firma ime nuk vlen dhe këtë e kam vendosur me firmën time. Por kështu shteti nuk është shtet, por është rrumpallë. Del Ilir Meta dhe ja fut me shkelm Kushtetutës dhe thotë kështu siç them unë, se jam Komandant i Përgjithshëm”, – tha Rama.atsh