“Nuk ka asnjë gjë që na tund nga 30 qershori dhe jemi të detyruar ta pranojmë si të keqen më të vogël për demokracinë tonë të re, zgjedhjen fatale të gabuar të kundërshtarëve tanë për ta lënë fushatën zgjedhore me një kandidat në pjesën më të madhe të vendit”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
Duke marrë fjalën në Kuvend, Kryeministri Edi Rama tha se “duhet t’i shpjegohemi Shqipërisë dhe miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë se si erdhi puna deri në këtë pikë vlimi në kazanin e jetës sonë politike dhe pse u keqpërdor Presidenti duke kapërcyer mbi Kushtetutën dhe duke fluturuar si një plumb qorr për të vrarë zgjedhjet në mes të fushatës së zgjedhjeve”.
Rama tha se “duhet të shpjegojmë po ashtu se pse ne nuk e shfrytëzuam mundësinë për të ndaluar fushatën dhe pritur ditën kur do t’i mbushej mendja Saliut dhe Ilirit për të pasur një datë të re zgjedhjesh”.
“Po bëhet një përpjekje e madhe kanal më kanal, portal më portal për të më faturuar mua zgjedhjet pa kundërshtarë kryesorë dhe për ta vijuar logjikën e kësaj që po ndodh duke e trajtuar si pasojë e kokëfortësisë, autoritarizmit, çmendurisë, madje edhe për të provokuar një konflikt civil mbi Shqipërinë”, tha Rama.
Kjo, sipas Ramës, “është një situatë e lidhur me interesat e një grushti njerëzish, aq edhe e pandashme nga interesi kombëtar i Republikës”.
“Çfarë interesi kam unë të jem kaq i patunduar nga bindja se kjo nuk është koha për asnjë kompromis, por për fushatë dhe zgjedhje në 30 qershor. Këto zgjedhje janë vendore. PS në rang vendor qeveris 75% të territorit të vendit dhe drejton shumicën e bashkive kryesore. Shumica parlamentare solide dhe mbështetja për mua dhe qeverinë është e palëkundshme. Qeveria ka 1001 probleme dhe çështje për të adresuar, ekonomia tronditet e turizmi dëmtohet, po ashtu edhe besimi i investitorëve”, tha Rama.
Në këtë situatë, sipas tij, “qetësimi i situatës duket si gjëja më e lehtë dhe jo si një dhimbje jo e vogël koke, si ecja në këto kushte jo normale drejt përpara në rrugën e 30 qershorit”.
“Nuk kam asnjë lloj interesi të ngushtë pragmatist të kthehem në pengesë për qetësimin e kësaj situate dhe asnjë pengesë në rrugën e qeverisjes sikur zgjedhjet të shtyhen qoftë edhe në pafundësi. Madje do të isha ngushtësisht i interesuar, për mua personalisht, rehatinë dhe karrigen time, por edhe qeverinë tonë”, tha Rama.
Unë do të isha i pari, vijoi ai, “që do të hidhesha përpjetë nga gëzimi për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe laja duart me procesin zgjedhor duke thënë ‘bravo, absolutisht dakord’”.
“Ose dhe e kundërta, ngrija duart lart para shqiptarëve se u zhduk data e zgjedhjeve nga horizonti dhe dilja si burrë i urtë e i pafajshëm në një lojë marrëzie politike. Sikur të isha siç dal te filxhni i fallxhores, apo te katrani i plakut dixhital, shpëtoja dhe unë bashkë me PS-në nga zgjedhjee të tjera të mëtejshme, sepse me këtë budallik të kthyer në precedent na jepet mundësia nesër që të themi nuk duam zgjedhje vendore dhe zgjedhje të përgjithshme, sepse kemi informacione të sigurta për një sulm bërthamor ndaj Shqipërisë”, tha Rama.
Por, sipas tij, “shtetet demokratike kanë Kushtetutë dhe ligje dhe nuk funksionojnë veçse me parimin e barazisë së të gjithëve para ligjit”.
Ndaj, tha Rama, nuk kthehen në veprime politike dhe t’i imponohen një populli të tërë për hesap të një pale apo një tjetre.
“Jo pak njerëz thonë se ne nuk i kemi respektuar aq shumë Kushtetutën dhe ligjet sa të jemi tani kaq të ngurtë tani. Le t’i biem edhe njëherë shkurt si i kemi rënë për 30 vjet për të ulur tensionin e lartë dhe shpëtuar Shqipërinë nga konflikti civil, vrasjet e njerëzve të pafajshëm dhe një ’97 tjetër. Dua t’ju pyes, çfarë ka ndodhur ndonjë gjë e ngjashme me ’97 që tani duhet t’i frikemi se na përsëritet një ’97 tjetër? Cilat skema piramidale po bien dhe kursimet e kujt po digjen? Në cilat qytete po shfaqen shenjat e kryengritjes popullore për ndonjë hall aq të madh dhe në cilat depo armatimesh, NATO po hap dyert për të armatosur shqiptarët ndaj njëri-tjetrit?”, tha Rama./atsh