Loading...

Akti i Metës, plan politik për të minuar rrugën e negociatave dhe provë e frikës nga drejtësia

“E vërteta e dalë cullak nga ky akt marrëzie befasuese është se veprimi i Metës nuk ishte një rrufe në qiell të pastër, por një hap spektakolar në vazhdën e një plani politik për të marrë peng jetën demokratike të vendit dhe minuar rrugën e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend , po diskutohet për projekt-rezolutën për shfuqizimin e Dekretit të zgjedhjeve nga Presidenti Meta.

“Kush kujton vërtet se në aventurën e tyre mendore, e cila ka patjetër shumë elementë që ngjajnë si ndërthurje e klubit të Selanikut të Çajupit me me pavionin numër 6 të Çehovit, dy frymëzuesit dhe orkestruesit e këtij plani Sali Berisha dhe Ilir Meta kujtojnë vërtet se mund të largojnë mua me moltovët e Lulit dhe mallkimet e Monikës e kanë gabim. Këta të dy, që i kanë hyrë detit në këmbë, janë instrumente në duart e dy të parëve, këta besojnë se mund të marrin pushtetin me kapsolla e me magjira, ndërsa dy ustallarët e rrëmujave e të intrigave e kanë qitjen më të largët. Unë jam shënjestra që duket, koka që i duhet ofruar turmës për ta frymëzuar dhe sjellë të ndërkryer në bulevard, iluzioni që i duhet artistit dhe fallxhores për të qenë të motivuar e të palodhur në orvatjen e tyre qorre”-, nënvizoi Rama.

Ndërsa, vijoi ai, preja e kërkuar në këtë gjah politik, nuk jam unë është Shqipëria që duhet ndaluar përpara sesa të kapërcejë pragun e negociatave me BE-në dhe të hap sapo kapërcen pragun dy kapitujt e parë të bisedimeve të cilat për dreqin e mallkuar janë kapitujt e drejtësisë.

“Duke hapur kapitujt e drejtësisë Shqipëria duhet ti tregojë BE-së, se reforma në drejtësi nuk është vetëm një maket arkitektonik me letrat e Kushtetutës dhe ligjeve të sistemit të ri të drejtësisë , nuk është vetëm një mekanizëm pastrimi i një sistemi të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar, por është shtet i të drejtës ku gjykatësit e prokurorët e kapur me presh në duar nga vetingu, qoftë politikanët e korruptuar dhe të paprekshëm prej 30 vitesh mund të këputen si pras nga goditjet ndëshkimore të drejtësisë së çliruar nga kthetrat e tyre”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “plani është i qartë nuk është aspak budalla për mbijetesën politike, të atyre që e kanë konceptuar dhe po e zbatojnë duke goditur pa asnjë mëshirë jo mua, jo ne që jemi mbështetësit e palëkundur të reformës në drejtësi, patjetër edhe ne, por vetë Shqipërinë”.

“Plani është i qartë, nuk është aspak budalla, për mbijetesën politike, por jo vetëm të mbijetesës politike, të atyre që e kanë konceptuar dhe po e zbatojnë duke goditur pa asnjë mëshirë jo mua, jo ne që jemi mbështetësit e palëkundur të reformës në drejtësi, patjetër edhe ne, por vetë Shqipërinë dhe shpresat e shqiptarëve përfshirë edhe ata që iu shkojnë pas këtyre të paudhëve, duke kujtuar komplet gabimisht se do rrëzojnë qeverinë dhe Luli e Mona do të ndëshkojnë krimin, do të shfarosin korrupsionin do të shpartallojnë padrejtësinë, ndaj të cilave deklarojnë se janë ngritur në një luftë pa kthim”-, tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se “pjesë e këtij plani ishte dhe publikimi i përgjimeve në tabloidin gjerman, të cilat mbaheshin nga një shërbëtor famëkeq i mirënjohur i Saliut në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Luli dhe Mona kanë marrë përsipër shpëtimin e vendit me doçkat e tyre të pastra dëborë. Meta dhe Berisha duan ta nxjerrin vendin jashtë procesit demokratik. Janë në të drejtën e tyre të kërkojnë një Shqipëri të qeverisur ndryshe, por ata duan që në vend që Shqipëria të luftojë për të kapur trenin e 2025, të rrijë të sfilitet dhe të mendojë për makthin e ’97”. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com