Porti i Himarës mirëpriti sot turistët e parë anglezë, që kanë ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë në “Kala Festival”, që do të zhvillohet në dy faza, në datat 12-19 qershor dhe 20-25 qershor.
Drejtori i portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “gjatë ditës së sotme kanë ardhur 250 turistë anglezë, të cilët kanë udhëtuar me Katamaranin e linjës Himarë-Korfuz”.
Sipas tij, pritet që të vijnë rreth 4000 turistë në Portin e Himarës për të marrë pjesë në këtë festë që tashmë është bërë traditë.
“Nga porti i Himarës këto ditë do të vijnë 3000 turistë, ndërsa nga porti i Sarandës do të vijnë 1000 të tjerë”, tha Malaj.
Për herë të dytë, bregdeti me bukuri mahnitëse i Dhërmiut, do të presë Festivalin e dytë Ndërkombëtar të Muzikës Elektronike në Shqipëri. Ky festival, përveç atmosferës që do të krijojë për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë. Përgjatë ditëve në festival do të jenë të pranishëm DJ të famshëm ndërkombëtarë.
Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij do të zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës Shqiptare.
Këtë vit në festival do të jenë 5 mijë të rinj, jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga Zelanda e Re, Australia, Amerika. Organizatorët shpresojnë që të ftuarit të përjetojnë me të vërtetë bukurinë e vendit./atsh